I djegin makinën dhe e kërcënojnë që të mos dëshmojë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pogradec.Një 40-vjeçar ka rënë në prangat e policisë dhe tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim pasi kanë kanosur një person.

I arrestuari është Xhuljano Topuzi, ndërsa në kërkim janë shtetasit I. B., 52 vjeç, F. B., 19 vjeç, M. B., 34 vjeç, banues në Pogradec.

Ngjarja ka ndodhur të hënën, 10 shkurt, para gjykatës. Topuzi së bashku me personat e tjerë në kërkim kanë kanosur shtetasin J.M 47 vjeç që të mos dëshmonte në seancën gjyqësore ndaj familjarit të tyre Mariglen Topuzi, i cili ndodhet i arrestuar për djegien e makinës së J.M.

“Shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në lagjen nr.3, përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, dyshohet se kanë kanosur shtetasin J. M., 47 vjeç, banues në fshatin Buçimas, me qëllimin që ky i fundit të mos dëshmonte në seancën gjyqësore zhvilluar për familjarin e tyre shtetasin M. T., 33 vjeç (i ndaluar si autor i dyshuar për ngjarjen e ndodhur në datën 31.07.2019, ku në lagjen nr. 1, Pogradec, u dogj mjeti tip “BMË X6″ në pronësi të 47-vjeçarit J. M)” sqaron policia.

Gjithashtu këta shtetas kanë kundërshtuar punonjësin e policisë së rendit me shërbim në Gjykatë dhe punonjësit e shërbimit të I.E.V.P-Drenovë, gjatë kryerjes së detyrës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim.