Film-gallata “I love Tropoja”, Rama dhe direktivat e Leninit…

Nga LuÇiano BOÇI

I LOVE SHQIPËRIA

Film-gallata “I love Tropoja” ka ndezur një varg polemikash artistike për vlerat dhe mesazhet që transmeton, për shkak të shumë simbolikave, konteksteve dhe interpretimeve, të amplifikuara sidomos midis të tjerave, për rolin e dajës-gangster nga Kryeministri.

Momentet e humorit ndërthuren me momentet e cinizmit dhe kufijtë e artit, propagandës, komedisë, talljes së nivelit të tavolinave, qëllimeve me aromë dufi e politikës së nënkuptuar, ngatërrohen keqazi.

Përtej komercializmit banal dhe artit urban, i ashtuquajturi film, do mbahet mend sidomos për shërbesën kryeministrore.

Marrja përsipër e Ramës e një roli të tillë në një skenar të shkruar enkas për këtë funksion, nuk është aspak e rastit.

Që në nisjet e tij kandiduese politike, Rama ka zbatuar mirë direktivat e Leninit për hir të formimit e të vazhdimësisë politike, për ta shdërruar artin në një armë efikase të propagandës.

Mos harrojmë se kur merrte mandatin e dytë, Rama u mjaftua të ndërfutej krah doktor Florit në këngën e famshme të West Side Family, “(I love)Tirona” e të zvargte pa asnjë art, fjalët: “Zhurmë, shumë zhurmë sa zhurmë”, për të arritur qëllim e tij të fitimit të imazhit në publik.

Kënga me tekstin argëtues dhe me art, bëri deri diku që simptomat e çmendurisë së betonit dhe sëpatave, t’u dukeshin tironsve si një normalitet, si një gjë e zakonshme, brenda mbretërisë së kaosit që Rama vetë sapo kishte nisur ta krijonte. Ajo me shpeshtësinë propaganduese të shfaqes, ndikoi jo pak në rehabilitimin e figurës së Kryetarit të Bashkisë, veçanërisht midis brezit të ri që ndikohet shumë nga trendi i kohës.

Një konvencion të tillë ai e përdori dhe gjatë viteve të keqqeverisjes së tij. Tani në një arenë akoma më të gjërë.

Ai kërkonte të impresiononte me termin “artist” opinionet e kancelarive, përpos atyre kombëtare.

Por dështimi nuk vonoi të vinte kësaj rradhe, falë mediokritetit artistik.

E pas këtyre daljeve në ekspozita-gallata me vizatime halucinante, të cilat nuk prodhuan gjë përveç pak gajreti ndërkombëtar për Kryeministrin, Rama iu kthye tani aktrimit. Kësaj here si komedian pa ndryshuar aspak qëllimin.

Kështu të paktën duket për publikun. Qëllimi kryesor, krahas të tjerave në këtë film-gallatë që ka Rama, është shitja në opinion e figurës së një kryeministri-bandit, si diçka normale. Madje as normale, por akoma më shumë, diçka për të qeshur. Që ai, jo vetëm të dyshohet se është i inkriminuar, por dhe nëse është të pranohet si diçka që duhet të ndodhë, si meritë, si trend i kohës, si evoluim politiko-artistik, nga publiku i gjërë.

Shpesh ai është përpjekur jo pa sukses që pikën e dobët të tij ta shndërrojë në pikën më të fortë, nëpërmjet mijëra marifetesh, simbolesh të mbrapshta dhe propagandës së shfrenuar.

Por nxitimi këtu e kapërceu arsyen.

Dalja e tij si “dajë” me flokë të gjata, kinse si personazh, nuk e shpëton atë të jetë “heroi” negativ, i një realiteti të cilin e ka ndërtuar vetë përgjatë këtyre shtatë viteve dhe të cilin kërkon me zor ta përcjellë si fiction.

Sado të përpiqet ai e të qesharakëzojë imazhin real të tij si i kryeministër i lidhur me krimin, humori që prodhon është i hidhur.

Madje efekti është i kundërt nga ai që ai po kërkon të instalojë. Identifikimi i identikitit të tij si profil i akuzuar me lidhje mafioze, bëhet më i plotë në sytë e publikut me “dajën” dhe gallatën e filmit.

Të gjithë, pavarësisht dozave të humorit momental, ngarkohen me doza neverie dhe pse jo pak fajësie që kanë në drejtim të vendit një karakter të tillë.

Rama aty nuk është në fakt në aktrim, aty është tek vetëvetja. Një kryeministër i impostuar në habitatin e vet ku ndjehet mire, ku pamja i rri mirë me shpirtin, ku fjalët i përputhen bindshëm me idetë e ku veprimet harmonizohen me qëllimet.

Më saktë ky është Rama i vërtetë, daja i krimit, i vendosur në një situatë të stisur skenike humori.
Aktrimi këtu s’ka vend e as vlerë. Aktrimin Rama e bën kund tjetër.

E bën në atë që mund të konsiderohet si telenonela shtatëvjeçare “I love Shqipëria” e qeverisjes së tij. Prodhim i kinostudios “Rilindja e re”.

Këtu po që aktron. Këtu Rama, luan kryeministrin, ndërkohë që është realisht Daja i krimit.

Nën petkun e këtij roli shtatëvjeçar, del para njerëzve e bën si i mirë, si i dhimbsur, ndërkohë që Daja i urren tmerrësisht njerëzit, i zhvat, i përqesh.

Del para kamerave dhe i veshur shik si kryeministër flet, mashtron, se këtë ia kushtëzon Daja brenda qënies së tij.

Pastaj negocion në emër të kombit, por instikti i Dajës e çon tek thika pas shpine.

Kryeministrin e aktron mirë, kur thotë e bën sikur do luftojë krimin. Një kryeministër nuk mund të vrasë Dajën që është brenda tij.

Prandaj e gjithë shfaqa që ai jep para publikit është trillim, fiction. I gjithë shteti që ai vizaton është një falsitet prej letre.

Ditën ai është Kryeministri në rol. Flet për rend, ligj, reforma, të mirën, lumturinë. Nxjerr gjuhën, bën kollutumba, zgërdhihet, zvargon fjalët. Në darkë është daja në aksion. Shan e përshan vartësit dhe ushtarët. Ulet e ndan tepsitë e plaçkën e interesave me krimin.

Thur intriga, përplasje, eleminime kundërshtarësh. Përcakton të fortët e territoreve. Bën llogari votash politike e dille përtej kufirit, të pista.

Urdhëron policët, prokurorët, gjyqtarët, pi verë të kuqe dhe vazhdon me të njëjtat huqe.

“I love Shqipëria” ndërkohë ka shikueshmërinë më të lartë në ekranet me popullore e kombëtare të blera, duke konkuruar dukshëm telenovelat turke dhe në kanalin e vetë dajës ERTV.

Ndërkohë njerëzit me zor po presin fundin, fund në të cilin personazhi kryesor Kryeministri që është Daja i krimit të “I love Tropoja” të diskretitohet dhe të bjerë nga froni.

Por pritja për rënie nuk mjafton. Duhet rrëzim.

Daja i krimit i “I love Tropoja” nuk mund të vazhdojë më të jetë Kryeminstri, sepse përtej telenovelës së tij shtatëvjeçare “I love Shqipëria”, njerëzit e duan vërtetë këtë vend, e duan Shqipërinë.