Edvin, të ka ra goma…

Nga Agim XHAFKA

1.
Te gryka e Semanit prisnin pas disa gëmushave dy grupe me afrikanë.
Dukej që ishin të trembur.

U afrua një djalosh dhe u tha që për Itali duhej paguar nga 3 mijë euro për kokë.
Pas një heshtjeje ata e sqaruan se nuk donin të iknin në Itali. Për në Greqi u çoj me mushka për 2 mijë euro.

Sërish afrikanët tundën kokat. Duam të kthehemi në Afrikë, i thanë. Na ka premtuar dikush që do na çojë në Kretë e pastaj drejt në Marok. Aty shpërndahemi vetë.
Shqiptari u çudit.

-Po pse erdhët atëherë deri këtu,-i pyeti.

-Për punë.

-Nuk gjetët?

-Gjetëm, se shqiptarët e kanë braktisur vendin, por ju keni borxh të lartë.

-Dhe?

-Nuk ia vlen të lodhemi për borxhet tuaja. Shlyejini vetë.

2.
Nëna: Bir u japin ushqim këtu në burg?

Djali: Tre herë në ditë, oj nënë!

Nëna: Flini ngrohtë?

Djali: Po, po! Dy furnela kemi në qeli.

Nëna: Po dush bëni çdo javë?

Djali: Edhe më shumë po deshe.

Nëna: Bir, të keqen nëna, sillu keq, grindu me të gjithë që të të mbajnë sa më gjatë brenda. Se burgu i vërtetë është jeta jashtë burgut.

3.
Polici KÇK: Ku e gjete këtë vilën.

I forti: E bleva.
Polici KÇK: Me ç’para?

I forti: Fitova një tender.

Polici KÇK: Ke kompani?

I forti: Jo, jo, ka xhaxhai. Ai e ndërtoi rrugën.

Polici KÇK: Po si e fitove tenderin?

I forti: Ma dha ministri.

Polici KÇK: Pse?

I forti: Se vodha zgjedhjet. Rrëmbeva tre kuti e zonën e fitoi ministri. Çfarë do,m ë tha. Një tender jepi xhaxhait, i thashë. Mos ça bythë, e ka në xhep. E mbajti fjalën. U bëra me vilë. Në zgjedhjet e ardhshme do i kërkoj dy tendera.

4.
Ferr do ua bëj atdheun banditëve,bërtiti Rama. Në ferr kemi vite që jetojmë, thanë pensionistët.
*** **** *****

Pa vazhduar me episode nga jeta e përditshme një këshillë i duhet dhënë Edi Ramës. Dil e komuniko me popullin sa herë të duash, por mos u shfaq më në televizor.
Fol psh në radio.

Që mos të ta shohin atë pamjen e përvuajtshme false që shpalos, mos i lagin njerëzit e irrituar ekranet ose disa mos i thyejnë fare ato.

Fjalën në radio e marrin si mashtrim më të lehtë, si një supë surrogato, jo si përbetimet e tua në tv që tani na duken si mish i kalbur i zierë në kusinë e Fugës.

Edvin, të ka ra goma, mos i jep kot gaz propagandës së nuk të bindet më timoni.

Po rrëzohesh e po merr me vete krejt dheun se atdhe nuk quhet një vend pa njerëz…