Duhej të ishte në burg, turp që ndodhet në tryezën e Reformës Zgjedhore

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili bëri edhe një deklaratë të fortw në Syri TV, përballë gazetares Armela Ferko, lidhur me paralajmërimin e presidentit Ilir Meta dhe atë çfarë pritet më 2 Mars.

Sa i përket deklaratave të sotme të ish ministrit Damian Gjiknuri pas tryezës së Reformës Zgjedhore, Vasili bëri një deklaratë të fortë:

“Gjiknuri është turp që ndodhet në atë tryezë, turp edhe për PS. Të japë sugjerime një njeri që me të fortë mblidhte vota. Unë këtë sugjerim e pështyj. Nuk jemi ulur aty për të marrë sugjerime nga Damian Gjiknuri. Duhej të ishte në burg Damian Gjiknuri. Nuk fusin në burg Gjiknurin për vjedhjen te Unaza e Re, por fusin hallexhinjtë”, tha Vasili.

Grupi politik i reformës zgjedhore, i përbërë nga Damian Gjiknuri, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, pa Rudina Hajdarin (nuk mori pjesë për shkak të axhendës), u takuan sot për të diskutuar një nga çështjet kryesore të procesit zgjedhor, ankimimet në gjykatë.

Opozita paraqiti një draft ligjor, që synon, sipas selisë blu zbatimin e rekomandimit prioritar të ODIHR-it për këtë çështje, duke nxjerrë jashtë presionit të vetingut gjykatën që do të vendosë për ankesat e procesit. Opozita propozoi moratorium 4 vjeçar nga vetingu për gjyqtarët që bëhen pjesë e trupës, e cila do të shqyrtojë ankimimet në procesin zgjedhor, por PS-ja e ka kundërshtuar duke deklaruar se bllokon reformën në drejtësi.

Gjiknuri është shprehur se propozimet e PD-së nuk mund të vënë në pikëpyetje reformën në drejtësi. Ai shtoi se nëse do PD që t’i kthehet institucioneve nuk ka pse të bëjë lojën e presidentit.

“PD është aty për të miratuar kodin zgjedhor, në bashkëpunim me ne dhe parlamentit që do ta miratojë  Nëse duam dhe vërtetë kanë vendosur që t’i kthehen institucioneve s’ka pse PD që të përfshihet në lojën  presidentit”, u shpreh Gjiknuri.