Donacionet po përdoren për propagandë! Rama tallet me shqiptarët njësoj si me hapjen e negociatave për herë të tretë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se pas Konferencës së Donatorëve për qeverinë nuk ka vend për triumfalizëm. Në një intervistë në Abc Neës, Bardhi bëri përgjegjës Edi Ramën se po përdorte për propagandë dhe përfitime politike solidaritetin e partnerëve ndërkombëtarë.

“Sjellja e Edi Ramës me Konferencën e Donatorëve më riktheu në memorie propagandën që na serviri, kur hapi vjet për të tretën herë negociatat. Tregon papërgjegjshmërinë e tij dhe të qeverisë, që në vend që të jetë e vërtetë me qytetarët për të treguar se fondet janë premtime dhe se Shqipëria duhët të plotësojë disa kushte që fondet të përfitohen, Edi Rama merret me propagandë dhe u shet shqiptarëve sikur është bërë magji. Nuk është bërë asnjë magji. Nuk kemi të bëjmë me ndihmë politike, që ta quaj sukses të qeverisë, por me ndihmë humanitare për Shqipërinë e goditur nga fatkeqësia natyrore” -tha Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike vuri në dukje se Konferenca e Donatorëve zbuloi mungesën e besimit të partnerëve tëk qeveria Rama për shkak të korrupsionit.

“Donatorët vunë theksin tek transparenca dhe menaxhimi siç duhet i fondeve për të shmangur korrupsionin. Ky është tregues i mungesës së plotë të besimit ndaj qeverisë së Edi Ramës”, u shpreh ai, duke i dhënë përgjigje edhe pyetjes, nëse mund të konsiderohet mbledhja e 1.15 miliardë euro si sukses i qeverisë.

Zgjidhja e situatës pas tërmetit nuk duhet të çojë me një borxh të ri. Shqipëria ka të gjitha mundësitë që duke riparë buxhetin e vet, duke rialokuar fonde që sot shkojnë dëm për shërbime që qytetarët shqiptarë nuk i marrin, është më efikase sesa mundësia për të marrë.

“70 përqind e fondit të premtuar në Konferencën e Donatorëve është në formën e kredisë. Ne kemi marrë kredi edhe më herët pa patur një takim të tillë në nivel ndërkombëtar. Për shembull, Banka islamike që ofroi një ndihmë në kredi prej 365 milionë euro, më të lartën në konferencë, nuk është hera e parë që na ndihmon. Me financimet e saj, rreth 390 milionë euro, ne ndërtuam autostradën me tunel Tiranë – Elbasan. Sukses për Shqipërinë është të zgjidhë hallin e qytetarëve shqiptarë. Sot, qytetarët e prekur nga tërmeti vijojnë të jetojnë në kushte të mjerueshme dhe në banesa të shpallur të pabanueshme për shkak të dështimit të menaxhimit të situatës nga qeveria”, tha Gazment Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, theksoi se situata e krijuar pas tërmetit në Shqipëri nuk zgjidhet me një borxh të ri, por duke përdorur taksat e shqiptarëve në interes të tyre dhe jo të oligarkëve.

“Në aspektin teknik, Shqipëria nuk e ka mundësinë buxhetore financiare për të pranuar një borxh të atij niveli, rreth 800 milionë euro. Që do të thotë se nëse plotësoshen kushtet, ai borxh mund të mërret i shtrirë në kohë në 5 apo 6 vjet, por jo sot. Ne jemi në kufirin e lejuar nga ligji për të marrë borxh. Unë mendoj se Shqipëria duhet ta zgijdhë këtë situatë pa marrë një borxh të ri. Një mundësi ia kemi ofruar. Të heqë ato 150 milionë dollarë që ia jep Vilma Nushit me shokë për koncesionet korruptive dhe t’i vërë në dispozicion të rindërtimit për njerëzit në nevojë. Kjo është zgjidhje më e mirë sesa fatura me një borxh të shtuar që u lihet brezave”, theksoi Gazment Bardhi.