Dokumenti/ Pas tenderit të inceneratorëve, Blushi dhe Zoto blejnë edhe aksionet e “Lori Kafe”

Një nga brandet e para dhe më të fuqishme në Shqipëri ka ndryshuar pronar. Tashmë “Lori Kafe” nuk do jetë më në pronësi të Vjollca Hoxhës dhe trashëgimtarëve të të ndjerit Dritan Hoxha, por 51% të aksioneve të kompanisë i zotërojnë pronarët ë konçesionit të incerneratorëve dhe Ben Blushi drejtori i Top Channel nëpërmjet bashkëshortes së tij.

Në një material të publikuar dje CNA.al zbuloi se në Bullgari ekzistonte një kompani EM Capital Group AD, e cila ka tre ortakë Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe Eva Blushin. Dy të parët pronarët e famshëm të kompanisë që ka konçesionin e incerneratorëve dhe e treat bashkëshortja e Ben Blushit drejtorit të Top Medias, ish-gazetarit që pak kohë më parë dështoi në politikë por që po gjen rrugën e suksesit si menaxher në media.

Sipas të dhënave zyrtare siguruar nga CNA.al kompania bullgare EM Capital Group AD, me pronarë Klodin e inceneratorëve dhe bashkëshorten e Ben Blushit ka blerë 51% të aksioneve të kompanisë VALTELINA shpk, themeluar nga Dritan Hoxha në tetor te vitit 1993. Kjo kompani është edhe mbajtësja dhe prodhuesja e brandit Lori Kafe dhe disa kafeve të tjera në treg.

Kontrata e shitjes të aksioneve nga trashëgimtarët e Dritan Hoxhës tek pronarët e inceneratorëve dhe tek gruaja e Ben Blushit, mban datën 25 nëntor 2019, dhe është firmosur përpara noteres Majlinda Demollari. Më poshtë kontrata e plotë me të gjitha detajet dhe firmën e drejtorit të kompanisë EM Capital Group AD dhe Vjollca Hoxhës, që ka hedhur firmën për të gjithë aksionerët e tjerë.

Sipas nenit 3 të kontratës ku flitet për çmimin e shitjes dhe mënyrën e likujdimit, shkruhet se 51% e kuotave kushtojnë 153 milionë lekë të reja dhe 600 mijë euro. Në një vlerë totale prej 225 milionë leke të reja ose 2 milionë dollarë.

Kontrata noteriale është dorëzuar më pas në QKB dhe në 31 dhjetor 2019 janë depozituar të gjitha veprimet dhe ndryshimi i aksioneve është publikuar sipas ekstraktit historik që ndodhet në fotot e mëposhtme ku kompania EM Capital Group AD është bërë ortake me 51% të kapitalit tek Kompania Valtelina e cila ka emrin tregëtar Lori Kafe. Nga dhjetori i vitit të shkuar shumicën e aksioneve të Lori Kafe e kanë pronarët e konçesionit të inceneratorëve dhe Eva Blushi, gruaja e drejtorit të Top Channel Ben Blushi. /CNA.al/

1 35