Djegia e makinës së kreut të PS, pas publikimit të lajmit nga Berisha, reagon policia

Policisë së Elbasanit iu deshën dy ditë që të formulojë një njoftim zyrtar, lidhur me djegien e një mjeti në pronësi të Bashkisë së Peqinit. Ishte fillimisht ish-kryeministri Sali Berisha ai që denoncoi fillimisht rastin, kurse gazetarët raportuan se mjeti i Bashkisë përdorej nga nënkryetari Madrid Sula.

Vetëm pas këtij denoncimi policia ka mbërritur në përfundimin se zjarri ka rënë si pasojë e një defekti në pjesët elektrike të mjetit, ndërkohë që burime bënë me dije më herët se ngjarja ishte duke u hetuar si e qëllimshme.

Mbetet në pikëpyetje se pse u mbajt dy ditë i fshehur një zjarr i shkaktuar si pasojë e një defekti në mjet, ndërkohë që Sula, pak kohë më parë u zgjodh me sherr dhe me përplasje në krye të PS së Peqinit.

Kurse News24 raporton se makina e nënkryetarit të bashkisë së Peqinit dyshohet se është djegur nga dy persona.

Automjeti tip fuoristradë me targë AA880 DR, ishte e parkuar në një rrugicë pranë shtëpisë së nënkryetarit të bashkisë Peqinit pasi kishte pësuar defekt në kambio. Sula i cili është edhe kryetar i degës së PS-së në Peqin si dhe drejtuesi i këtij automjeti kishin sinjalizuar për defektin edhe titullarin e institucionit dhe kishin marrë masa për dërgimin e tij në servis.

Njoftimi i policisë për rastin:
Gjatë natës së datës 30.01.2020, në lagjen “Teqe”, Peqin, ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht mjeti tip “Toyoto”, në pronësi të Bashkisë Peqin. Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor rezulton se zjarri ka rënë si pasojë e një defekti në pjesët elektrike të mjetit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për ngjarje aksidentale.

2 64