Dëshmia e kopshtarit të resortit: Trupin e pengut Jan Prenga e mora me një furgon të bardhë dhe ia dorëzova…

Prokuroria i ofron statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë një prej të dyshuarve për rrëmbimin dhe torturimin deri në vdekje të Jan Prengës. Bëhet fjalë për të arrestuarin Festim Bexhdili, i cili nxori trupin e pajetë të 49-vjecarit nga bodrumi i resortit luksoz “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit.

Burime policore thanë se Bexhdili fillimisht nuk pranoi të fliste, por kur përpara iu vunë pamjet filmike të kamerave të sigurisë, ku shfaqej edhe vetë, vendosi të rrëfehej.

I arrestuari ka pranuar para hetuesve se është i punësuar si kopshtar në “Golden”, dhe pasditen e 17 janarit, pronari i kërkoi të nxirrte nga kompleksi trupin e pajetë të një personi.

Ai shpjegon se u largua me një furgon të bardhë dhe disa kilometra nga resorti, trupin e pajetë ia dorëzoi Altin Hajrit dhe një pjesëtari të familjes Doçi nga Shkodra. Më pas, ai thotë se u rikthye në resort dhe dorëzoi furgonin.

Dëshmia e Bexhdilit konsiderohet një provë e fortë dhe për këtë shkak prokuroria i ka ofruar statusin e bashkëpunëtorit, përderisa deri në gjetjen e trupit, është e vështirë që ndaj të dyshuarve të ngrihet akuza e vrasjes.

Prokuroria është në kërkim të Ardian dhe Artan Doçit, të cilët dyshohen për zhdukjen e trupit të pajetë të pengut. Rrëmbimi i Jan Prengës u urdhërua nga një kartel kriminal, pasi vëllai i pengut, zhduku në Britaninë e Madhe një sasi të madhe kokaine në Ekuador.

Pas kësaj, Gentian Doçi, nga Shkodra, dhe Dritan Rexhepi, i cili ndodhet në burg në Ekuador, kanë kontaktuar me familjen e Jan Prengës dhe u kërkuan atyre ta detyronin Astritin të kthente mallin.

Dritan Rexhepi i ka premtuar Ndrekë Prengës, i cili ndodhet në burg në Angli, se do t’i lironte vëllanë, sapo t’i kthenin drogën. “Po ju jap besën, ktheni pjesën tuaj se do lirohet pengu”, i premton Rexhepi – vëllait të 49-vjeçarit.

Pasi Astrit Prenga u ktheu sasinë prej 106 kg kokainë dhe shumën prej 700 mijë paund disa shtetasve nga Polonia, që i kishte çuar Rexhepi dhe Doçi, Ndrekë Prenga e ka kontaktuar sërish vlonjatin për t’i liruar vëllain, por ai i është përgjigjur se i kishin dalë nga fjala, pra ndihej i prerë në besë.

Për këtë, Rexhepi i ka treguar emrat e rrëmbyesve të vëllait dhe ka implikuar direkt Gentian Doçin, Korado Genjështen dhe Martin alias Gentian Bleta. Me këtë të fundit, Dritani ishte njohur në vite më parë në një burg në Itali./bw