Deklarata e fortë: Një kryebashkiak i emëruar nga Rama dyshohet i dënuar për vrasje

549

Sekretari i Përgjithshëm i ParPD, Gazment Bardhi ka bërë deklarata të forta mbrëmjen e sotme, teksa foli për kryebashkiakët socialistë që kanë kaluar në “sitën” e tyre. Bardhi deklaroi se, opozita ka në proces verifikimi 12 kandidatë për bashki dhe kryebashkiakë socialistë.

“Kemi në proces rishikimi disa nga kandidatët e Edi Ramës. Jemi duke pritur dokumentacionet që vërtetojnë krimet që ata kanë kryer. Nuk është detyra jonë të verifikojmë që x kandidat ose kryetar i pranishëm, ka qenë i dënuar dhe ka gënjyer në formularët e dekriminalizimit.

Çdo person me rekorde kriminale është zbuluar nga hetimet dhe verifikimet e kryera nga hetimet tona. 12 socialistë kemi aktualisht në proces verifikimi. Sapo marrim dhe provojmë me dokumentacion se të dhënat që kemi siguruar rezultojnë të vërteta, i publikojmë”, u shpreh ai në emisionin “Mbrëmje në Abc”.

Bardhi denoncoi se një kryetar i një bashkie të rëndësishme është dënuar në një nga vendet e BE-së për vrasje, por nuk preferoi të zbulojë emra.

“Në një rast një person është i dyshuar se në një nga vendet e BE është i dënuar për vrasje, sikundër ka edhe disa raste kur dyshohen për trafik droge.

Nëse është i dënuar, sigurisht që e ka vërtetuar gjykata, ajo që pres unë është që të marr dokumentacionin e gjykatës, nëse rezulton që është i dënuar sigurisht që e ka kryer atë krim.

Është bashki e rëndësishme, nuk mund të jap më shumë informacione, sigurisht që është njeri publik, pavarësisht se është emëruar nga Edi Rama”, theksoi demokrati.