Conte: Interi ia dhuroi golat Lazios

Antonio Conte ka thënë se Interi ia ka dhuruar Lazio golat e shënuara në humbje 2-1 në kuadër të javës së 24-të në Serie A.

Lacianët fituan ndaj Nerazzurëve, për ta rrëmbyer vendin e dytë në ligën italiane, me vetëm një pikë dallim nga lideri Juventusi.

“Mendoj se ishte një paraqitje e mirë edhe pse rezultati nuk na pëlqeu dhe si i pranuam golat, ne i dhuruam ato te Lazio”, ka thënë ai pas ndeshjes.

“Nuk ishim mjaftueshëm të koncentruar, nuk u kushtuam rëndësi detajeve dhe ata përfituan nga gabimet tona”.

“Ishim shumë të butë në ndërhyrjet tona dhe pësuam dy golat nga këto gjëra. E njëjta gjë na kishte ndodhur edhe ndaj Barcelonës e Borussia Dortmundit, i lëshuam pikët nga dora”, ka shtuar më tej Conte.

Interi po e rivalizon Zonjën e Vjetër për titull, derisa Lazio i ka befasuar të gjithë me ecurinë e tyre në këtë sezon.