Berisha humb njeriun e afërt. Mesazhi i ndjerë…

325

Ish-Kryeministri Sali Berisha postoi një mesazh online pas ndarjes nga jeta të kushëririt të tij, Sylejman Berisha. Ish-kryeministri shkruan se atë e kishte si vëlla, ndërsa e vlerëson si patriot i vërtetë.

Maszhi

Zi në familjen tonë!
Miq, sot ne përcollëm në banesën e fundit një njeri shumë të dashur të familjes tonë, djalin e xhaxhait tim, Sylejmanin. Që kur fillon memoria ime, ai, mocanik me mua, ishte për të gjithë vitet e fëmijërisë dhe më vonë si vëlla për mua. Së bashku ndamë lojërat, gëzimet, dashurinë e prindërve, familjarëve tanë dhe përfunduam shkollën 7-vjeçare. Më vonë rrugët tona u ndanë, por jo zemrat tona. Ai qëndroi në Kodër të Prifçit në Tropojë, aty ku dhe u martua dhe krijoi familjen e tij të mrekullueshme.

Sylejmani pati një jetë plot sakrifica. Ai punoi si minator pothuaj në të gjitha minierat e rrethit dhe qarkut të Kukësit. Kurrë nuk kam njohur një njeri më punëtor se ai apo që të ketë djersitur më shumë në pune se Sylejmani. Kudo që ai punoi, me ndershmërinë, njerëzinë dhe respektin e tij, bëri miq dhe shokë të shumtë.

Miq, Sylejmani ishte një patriot i vërtetë. Në vitet 1996-1999 ai e shndërroi shtëpine në Kodrën e Prifçit në një nga bazat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai vetë së bashku me djemtë e tij Halilin, Gëzimin dhe Arbenin morën direkt pjesë në veprime dhe operacione të UÇK kundër pushtuesve serbe! Ai priti dhe përcolli me qindra e qindra luftëtarë të lirisë, komandantë të shquar të tyre, ndër të cilët ish-kryeministrin e Kosovës, zotin Ramush Haradinaj, ish-Komandantin e pavdekshëm të UÇK, Ilir Konushevci e shumë e shumë të tjerë.

Në ato vite me dhjetëra gazetarë, diplomatë, ambasadorë, ushtarakë, zbulues nga shumë vende vizituan shtëpinë dhe Kodrën e Prifçit. Sylejmani i priti dhe i përcolli ata në përputhje me traditën. Të gjithë ata, pyetjes se pse keni lejuar këtu një bazë ushtarake, morën nga ai vetëm një përgjigje: unë po respektoj traditën e familjes time.

Ne fakt ai e tregoi veten i biri i të atit, Zeqir Halilit, i cili që nga mosha e tij e re dhe deri në vitin 1944 kishte marrë pjesë në çdo përpjekje kundër pushtimit serb dhe për lirinë e Kosovës! Por kësaj herë lufta u fitua.

Sylejmani mbylli sytë përgjithmonë nën kujdesin e përsosur të bashkëshortes dhe femijëve të tij.
Atij i dhanë lamtumirën e fundit familjarët, të afërmit, miqtë, shokët, ish-kryeministri Haradinaj dhe bashkëluftëtarë të tij nga Kosova dhe emigracioni e diaspora.

Mbetem pafundësisht mirënjohes ndaj të gjithë atyre që na nderuan sot me praninë e tyre në lamtumiren e sivllaut tim Sylejman Zeqir Berisha dhe i lutem Zotit që shpirti i tij i mirë të gjejë paqen e merituar. Amin!