Basha denoncon shifrën e frikshme: Me koncesionet në shëndetësi vjedhin 35-40 milionë euro në vit

Lideri i opozitës, Lulzim Basha deklaroi ditën e sotme se me koncesionet në shëndetësi çdo vit vidhen 40 milionë euro.

Duke folur në konferencën e organizuar nga Partia Demokratike  me temën, ‘Sfidat dhe vizioni në shëndetësi’, Basha deklaroi se shëndetësia falas është një gënjeshtër kriminale.

“Buxheti i shtetit për shëndetësinë është 115 usd për frymë, tre herë më pak se Bosnja. Nuk janë koncesione dhe PPP. Janë vjedhje me kosto 35-40 milionë euro në vit. Me këtë shumë sistemi shëndetësor mund të sillet në parametra të pranueshëm. Problemet janë të qarta.

Nisin dhe bazohen mbi gënjeshtrën e madhe të shëndetësisë falas. Shëndetësi falas nuk nuk ka dhe nuk mund të ketë. E ka thyer ne mes shëndetësinë. Centralizimi i sotëm ka tejkaluar edhe parametrat e regjimit komunist.

Arsyeja nuk qëndron tek mungesa e vizionit, por tek vjedhja e kësaj qeverie, tek paaftësia dhe keqmenaxhimi i institucioneve shëndetësore, keqpërdorimi politik i tyre, gjë që është kriminale”, tha ndër të tjera gjatë fjalës së tij kreu i opozitës Basha.