Bardhi reagon ndaj Gjonajt: Në vend që të mashtrosh qytetarët, bën mirë të gjesh një avokat

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila i cilësoi akuzat e Presidentit Ilir Meta një lajthitje ligjore, ndërsa sqaroi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Bardhi shkruan nëreagimin e tij se, në vend që të mashtrojë qytetarët, ministrja bën mirë të gjejë një avokat.

Reagimi i plotë i Bardhit

Në vend që të mashtrojë qytetarët, Etilda Gjonaj bën mirë të gjejë një avokat. Sikur Edi Rama vetë të drejtojë personalisht mbledhjet e SPAK-ut, ajo është e pambrojtshme. Ministrja e Drejtësisë ka shkelur Kushtetutën, ka shpërdoruar detyrën dhe ka marrë pjesë në një akt mafioz për asgjesimin e Gjykatës Kushtetuese.

Provat e paraqitura nga Presidenti për grabitjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese nga ana e qeverisë, edhe përmes veprimeve të paligjshme të Ministres së Drejtësisë, janë të qarta dhe të pakundërshtueshme. Etilda Gjonaj duhet të japë llogari para drejtësisë! Është një test i rëndësishëm për SPAK-un, i cili do të tregojë, nëse reforma në drejtësi ka dështuar me gjithçka apo jo.