Barcelona në krizë pas zënkës së Messit me zyrtarin e klubit

Barcelona është duke e përjetuar krizën më të keqe ndër vite. Rezultatet e këqija në fushë, të kombinuara me shkarkimin e Ernesto Valverdes dhe disa faktorëve të tjerë, e kanë futur klubin në një periudhë të errët, që u bë e qartë për publikun të martën kundër Lionel Messi e konfrontoi Eric Abidal në rrjete sociale.

Sekretari teknik i Barcelonës, Eric Abidal, kishte folur për disa media lokale për të sqaruar gjithçka që kishte ndodhur në klub gjatë këtij afati kalimtar të janarit, por deklarata e tij për lojtarët provokoi përgjigje nga Messi, shkruan Marca.

Francezi i kishte ndarë mendimet e tij për mediumin spanjoll Sport për nivelin e intensitetit të stërvitjeve. Ai tha se disa lojtarë ishin të pakënaqur dhe nuk kishin punuar mjaftueshëm, duke i fajësuar ata për shkarkimin e Valverdes. Kjo nuk i pëlqeu Messit, i cili reagoi në rrjete sociale.

Messi reagoi shpejt dhe ai u tregua me më temperament sesa zakonisht, gjë që sipas Marcas vjen shkaku i rezultateve të dobëta në fushën e lojës.

Zemërimi i argjentinasit është i qartë edhe në fushën e lojës dhe gjatë stërvitjeve. Ai ishte i qartë në përgjigjen e tij dhe i tha Abidalit të shqetësohet për detyrat e veta dhe se drejtuesit e klubit duhet të nisen nga vetja kur përballen me probleme në klub.

Nga përvoja, Messi e di se kur dikush e bën ndonjë koment për zhveshtoren në Barcelonës, e gjitha vëmendja kalon te ai. Ai beson se nëse ka një person që s’ishte fajtor për shkarkimin e Valverdes, atëherë ai ishte ai person.

Barcelona tani gjendet në një situatë ku askush nuk i beson askujt dhe tensionet në klub janë në një nivel të lartë. Josep Maria Bartomeu nuk i beson Abidalit për gjithçka që ndodhi në janar, veçanërisht pas dështimit të transferimit të një sulmuesi apo emërimit të Xavi Hernandezit në pozitën e trajnerit.

Edhe vetë lojtarët janë paksa në mëri me bordin drejtues pasi që ata kishin qenë të afër me Valverden, para se ky i fundit të shkarkohet. Edhe në zhveshtore ka ndarje, pasi që lojtarë si Sergio Busquets, Ivan Rakitic dhe Arturo Vidal ishin të lumtur me shkarkimin e Valverdes.

Tani, atmosfera në Barcelonë është pothuajse toksike dhe fakti që asnjëri nga kapitenët nuk mori pjesë në konferencën për shtyp ku Victor Tomas e lajmëroi pensionimin e reflektoi këtë. Barcelona ka probleme të mëdha dhe ato nuk duket se do të zgjidhen së shpejti.