Balliu denoncon me fakte: Drejtuesja e prokurorisë politike të Tiranës, përfituese direkte nga projekti korruptiv i Unazës së Re

• Klevis Balliu denoncon me fakte: Drejtuesja e prokurorisë politike të Tiranës, Elisabeta Imeraj është përfituese direkte nga projekti korruptiv i Unazës së Re. Shtëpia e saj jo vetëm nuk preket, por del në vijë të parë.

DEKLARATË E ISH DEPUTETIT TË PARTISË DEMOKRATIKE KLEVIS BALLIU

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, denoncoi shtyrjen e seancës gjyqësore kundër tij dhe disa banorëve të Unazës së Re si presion të qëllimshëm politik për t’i frikësuar. “Këto lojëra të vogla meskine nuk funksionojnë. Si anëtar i Partisë Demokratike jemi rritur me vlerat për t’u përballur me padrejtësinë dhe jo për t’iu fshehur asaj”, tha Klevis Balliu, i cili vuri në dukje se kundër banorëve të Unazës dhe opozitës janë mbi 100 çështje penale, ndërsa kundër krimit të vërtetë dosjet mbyllen.

“Shihni anëtarë të opozitës, kolegë të mi apo gazetarë që enden nëpër dyert e gjykatave, ndërsa vrasës, njerëz të dënuar për krime të rënda, njerëz të dënuar përjetësisht nëpër burgje lirohen nga gjykatat sepse lirohen me urdhër të Edi Ramës, kumbari i krimit të organizuar. Këta qytetarë, mua dhe shumë të tjerë nuk i sjell ligji, nuk i sjell Kushtetuta por i sjell Edi Rama me urdhra politikë”.

Klevis Balliu tha se prokuroria politike, e drejtuar nga Elisabeta Imeraj nuk ka asnjë provë kundër tij dhe banorëve, që kanë qenë në mbrojtje të shtëpive të tyre nga një akt i rëndë korruptiv, që vazhdon të mbrohet nga Elisabeta Imeraj. Klevis Balliu ngriti disa pyetje për të treguar standardin e dyfishtë të drejtueses së Prokurorisë së Tiranës.

“Pse nuk funksionon ligji për dhunën makabre të ushtruar ndaj banorëve të Bregut të Lumit, kur shefi i Komisariatit Nr.4 u kap me video, me figurë, u kap duke goditur një vajzë 19 vjeçare me shpullë? Pse nuk funksionon ligji, kur hidhet gazi lotsjellës brenda banesave të këtyre banorëve që janë këtu? Pse nuk funksionon ligji kur vjedhin 40 milionë euro tek Unaza e Re?

Pse nuk funksionon ligji, kur me një tender fiktiv dhe korruptiv fitojnë salillarët? Pse nuk funksionon ligji për ata që kanë vjedhur votat dhe janë kapur në përgjime? Sepse këtu nuk ka drejtësi. Këtu drejtësia ka ikur në drejtim të paditur, e ka zhdukur Edi Rama me Erion Veliajn, i cili e mbylli çështjen e pishave, kontratën direkte të paligjshme me Fusha sh.p.k. Këtë kontratë ia kam dorëzuar direkt Elisabeta Imerajt.”

Klevis Balliu tregoi me foto shtëpinë në pronësi të drejtueses së Prokurorisë, duke theksuar se nga njëra anë ajo mbylli dosjen e korrupsionit 40 milionë tek Unaza dhe nga tjetër është përfituese direkte nga projekti.

“Shtëpia e Elisabeta Imerajt është e vetmja shtëpi tek Unaza, që nuk preket nga projekti i Unazës. Tani kjo prokurore përfiton nga ky projekt, që na del nga bregu i tretë në të parin.”

Klevis Balliu tha se këto segmente të shtetit janë bërë bashkë me qeverinë dhe disa oligarkë për të vjedhur. Ai përmendi rastin e kompanisë Salillari, e cila do të ndërtojë 2 nga 3 lotet e projektit të Unazës së Re për faktin e vetëm se ai është mik me kryeministrin.

“Taksat që shqiptarët paguajnë janë që të bëjë pushime Salillari me Edi Ramën, me Taulant Ballën? Pse nuk çojnë KÇK-në tek Edmond Bego që ishte pas projektit të Lanës, i dënuar me 11 vite burg? Për gjithçka ndodh në vend e ka fajin opozita, e ka fajin gazetari, e ka fajin media, e ka fajin intelektuali, e ka fajin qytetari! Jo, e ka fajin qeveria e hajdutëve, e banditëve dhe kriminelëve që kanë shpërdoruar sipas KLSH-së 2.6 mld euro”, u shpreh Klevis Balliu pas shtyrjes së seancës gjyqësore kundër tij dhe disa banorëve të Unazës.