Arrestohet avokati ‘007’ i Fierit…

104

Sektori i hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Fierit ka vënë në pranga  avokatin Niko Bega, 53 vjeç, i cili ushtronte profesionin e avokatit pranë dhomës së avokatisë Fier.

Ndalimi i Begës është bërë akuzohet për veprën penale “Korrupsion aktiv”, pasi në emisionin e mbrëmshëm ‘Stop’ në Tv Klan, u përgjua teksa i kërkonte një nxënësi të ndryshonte deklarimin e tij në prokurori lidhur mbi skandalin ku ishte përfshirë klienti i tij, Agron Bego, mësues në shkollën e muzikës ‘Jakov Xoxa’ në Fier, i cili u kap në përgjime teksa i kërkonte favore seksuale një nxënëseje.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Fierit, avokati Bega, duke shfrytëzuar profesionin e tij si avokat, i ka kërkuar një shtetasi të ndikonte te një nxënëse, e cila, sipas policisë, duhet të ndryshonte deklaratat e saj ndaj një tjetër shtetasi, i cili ishte klienti i avokatit Niko Bega.

Nxënësja duhet të ndryshonte deklaratat ndaj mësuesit Agron Bego, që është me masën e sigurimit “Arrest me burg” për veprën penale “Ngacmim Seksual”. Ndërkohë, për ngjarjen në fjalë, Policia e Fierit ia ka kaluar materialet hetimore Prokurorisë së Posaçme. Ndërkohë, arrestimi i avokatit është bërë pas denoncimit në një emision investigativ.