‘Anti-KÇK’, një shpresë e lindur e vdekur

Nga Red VARAKU

‘Në kohë ekstreme, ka nevojë për masa ekstreme’-deklaron kryeministri.

Për herë të parë, ai vetë pranon se situata e krimit në vend është ekstreme dhe vendi ka nevojë urgjente për rikthim në normalitet dhe rimarrjen në kontroll të territorit.

Me këtë deklaratë vetë kryeministri pranon që shteti ka dështuar dhe është i pafuqishëm në luftën kundër krimit dhe vendi është totalisht nën kontrollin e bandave dhe pothuajse nuk kontrollon më asnjë cm katror.

Të gjitha qytetet e Shqipërisë janë kthyer në arena të përgjakshme të grupeve kriminale rivale që luftojnë për territor dhe pushtet.

Ato janë tashmë të famshme në çdo cep të Shqipërisë për aktivitetin dhe brutalitetin e tyre.
Banda që janë politikisht të identifikuara dhe provuara si të lidhura me të majtën në pushtet, për të cilën mbledhin vota.

Policia, për shkak të lidhjes së politikës me krimin, e ka të pamundur të bëjë detyrën e saj si parandalimi i ngjarjeve kriminale ose asgjësimi i bandave të tilla.

Si pasojë, ajo është kthyer thjesht në konstatuese dhe arkivuese të ngjarjeve kriminale. Ajo thjesht mbledh kufomat e kësaj babëzie për gjak.

Edhe kur ka ndodhur ndonjë goditje e këtyre grupeve, goditjet kanë qenë politikisht selektive.
Ato kanë synuar dobësimin e njërës palë ose forcimin e palës tjetër, duke e përkeqësuar më shumë situatën në terren.

Vrasjet, pengmarrjet dhe atentatet kriminale tepër të sofistikuara janë alarmuese, sepse dëshmojnë qartazi fuqizimin e jashtëzakonshëm të këtyre grupeve.

Të gjitha përpjekjet e kryeministrit për ta mbajtur krimin nën kontroll kanë dështuar me sukses, ashtu siç do të dështojë edhe shpikja e tij e fundit e pagëzuar si anti-KÇK.

Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

Kjo është pasojë e padiskutueshme e një pushteti që qëndron në këmbë me votat e vjedhura me anë të këtyre bandave.

Këto janë përbindëshat që lindin nga përdhunimi që krimi i bën shtetit.

Ndaj, kryeministri ka të drejtë kur thotë që për këtë duhen masa dhe ndërhyrje ekstreme. Por, këto masa dhe ndërhyrje kërkojnë një vullnet të qartë dhe të fortë politik. Ato nuk mund të ndërmerren kurrsesi nga frymëzuesi dhe arkitekti i tyre.

Pra, nëse e ka vërtet seriozisht luftën ndaj krimit dhe rikthimin e vendit në normalitet, ai duhet të ndërmarrë vetëm një masë dhe ndërhyrje ekstreme.

Ajo është dorëheqja e menjëhershme e tij.