Ajka e Bashës dhe kajmaku i Ramës

62

Nga Gentian GABA

‘Ata janë të ftuar të ulen në tavolinë, si njerëz; edhe të na thonë çfarë mendojnë ata. Ata nuk mund të na imponojnë dot ne asgjë, fare, zero. Që të jemi të qartë, zero’. Kështu fliste Rama në tetorin e vitit të shkuar, i ftuar në studion e Sokol Ballës.

Me arrogancën e kapadaiut, tregonte rolin margjinal që i kishte rezervuar në planet e tij opozitës në Reformën Zgjedhore. Por, pak muaj më vonë, ajo zero e ofruar nga Rama u bë nul përballë kushteve të Bundestagut.

Sigurisht asgjë nuk ishte e rastësishme. Vetëm tërmeti, një ‘mjelmë e zezë’, sipas përcaktimit të Nassim Taleb, pra ndikimi i të pamundurës që çau realitetin tonë, prodhoi një vonesë në mbërritjen e momentit në të cilin edhe mazhoranca doli nga sistemi duke u ulur te Pallati i Kongreseve. Qartësisht jo për vullnetin e Ramës, por për shkak të betejës së opozitës.

Në atë moment nuk lindi vetëm ‘Këshilli Politik’, i cili i jep forcën e vetos opozitës në miratimin e Reformës Zgjedhore dhe shfuqizon Parlamentin e pas 16 shkurtit, por edhe bindja se nëntë kushtet e Bundestagut janë më shumë sesa një listë me kërkesa për të mundësuar çeljen e negociatave, të realizueshme sipas ngesë së mazhorancës. Nein (JO).

Ato janë një imperativ kategorik për të nxjerrë vendin nga kriza politike, sepse kushtet nuk kërkojnë vetëm Reformë, ndëshkim të krimit zgjedhor etj. etj., por edhe implementimin e saj, që do të thotë zgjedhje. Nisja e zbatimit të tyre tregon se ora me rërë është përmbysur.

Qartësisht, në komunikimin, palët i kanë rrokur kushtet sipas agjendave të tyre. Megjithatë, nëse do të nxjerrim konkluzionet nga veprimet e aktorëve politikë, duket se zgjedhje do të ketë, pasi mazhorancë dhe opozitë po hedhin hapa përherë e më të shpejta drejt një takimi elektoral. Në këtë këndvështrim, merr kuptim edhe KCK-ja e Ramës.

Paçka se dekriminalizmi e ka ekspozuar me kohë lidhjen e rilindasve me krimin, kreu i vjollcëve, të cilit iu deshën shtatë vjet për te pranuar që ka një elefant në dhomë, po e përdor ‘forcën e ligjit’ si një instrument propagandistik. Të vlefshëm për një fushatë zgjedhore, kurrsesi për të fituar një betejë që ka humbur qysh prej momentit kur u ngjiz ‘aleanca e qelbësirave’.

Elektorale janë edhe daljet nën petkun e OSBE-së, duke përfituar nga çdo sekondë kohe që i mundëson agjenda e kësaj organizate, jo për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare (ligjin në këtë arenë e mban tjetër kush), por hallet e tij të brendshme.

Ekskursione që i japin mundësi për të pasuruar rrjetet e tij sociale, por që nuk i sjellin asgjë një Shqipërie të gjunjëzuar nga keqqeverisja e tij dhe tërmeti i 26 nëntorit. Elektoral është bërë edhe kundërshtari i tij Lulzim Basha.

Me sigurinë që i buron nga nisja e implementimit të kushteve të Bundestagut, të cilat janë dëftesa politike e betejës pesëvjeçare për zgjedhje të lira, ka nisur të komunikojë më shumë. Çertifikimi i krizës nga partnerët ndërkombëtarë, duket se po lejon një normalitet, në të cilin krimi (jo vetëm zgjedhor) nuk është shqetësim ekskluziv i opozitës.

Kjo s’do të thotë që lufta ka përfunduar, por që ajo po merr trajtat e betejës politike, gjatë të cilës nuk do të duhet të flitet vetëm për përgjime, për përfshirjen e krimit në politikë apo për lirinë e votës, por më së shumti për problemet e qytetarëve dhe zgjidhjet e tyre.

Për ta realizuar këtë, Basha, ka lënë ‘shpatën’ dhe ka marrë ‘kalemin’, duke lënë selinë e PD-së për të shkuar te njerëzit. Energjitë që, deri pak muaj më parë, angazhoheshin për të ekspozuar, në sytë e vendorëve dhe të huajve, mëkatet shumëdimensionale të mazhorancës, prej mesit të janarit përdoren për skicimin e së ardhmes që do t’ju ofrojë shqiptarëve.

Një ndryshim i rëndësishëm që po provokon dhe po tërheq vëmendjen e opinionit publik. Kurioz të njohë anët e pazbuluara të Bashës që dëgjon dhe përgjigjet, edhe nëpërmjet Facebook-ut. Në më të parin takim digjital të këtij lloji, pyetjes së një komentuesi iu përgjigj se kishte ‘planin për të sjellë në krye të vendit ajkën e kombit’. Joshëse, nëse kujtojmë që Rama, në pushtetin qendror dhe lokal, ka sjellë ‘kajmakët’.