“Ahmetaj është gjigand, ta shet aq bukur borxhin saqë e paguajmë me qejf…”

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka ironizuar në rrjetet sociale Arben Ahmetajn, ministrin e Rindërtimit në Qeverinë Rama.

Manjani shkruan se, Ahmetaj ta shet aq bukur borxhin, saqë e paguajmë me qejf.

“Miku im Ben Ahmetaj është Ministri i Borxhit Publik.

Është gjigand, ta shet aq bukur borxhin saqë e paguajmë me qejf…”, shkruan Manjani në rrjet.
Mbrëmjen e djeshme në emisionin Opinion, Ahmetaj foli mbi fondin prej 1.15 mld euro të siguruara nga Konferenca e Donatorëve.

“Ishte një mbështetje ndërkombëtare spektakolare me solidaritet me popullin shqiptar dhe me familjen që kanë humbur të dashurit dhe shtëpitë e tyre, ishte në një nivel të papërshkrueshëm. Tani, 400 milionë janë grante, që janë para që na i dhurojnë, nuk janë borxhe, pra janë donacione të drejtpërdrejtë.

Rreth 650 milionë janë kredi të buta, me një kosto shumë të ulët, si në aspektin e interesit nuk janë kredi tregtare. Disa i kanë nën 2 % interes, janë disa interesa gati-gati tek 1. Këto janë të asociuara më të gjithë dëmin që kemi pasur ne më 26 nëntor dhe po ta lexosh të gjithë raportin e BE dhe parimet, qoftë janë të raporti, qoftë u nënvizuan sot, shkojnë përtej thjesht rindërtimit shkojnë tek rimëkëmbja ekonomike”, tha Ahmetaj.