99 arsye për të protestuar!

Nga Albert AVDYLI

Në datën 2 mars do të jem në protestë.

Nxitova ta deklaroj vendimin tim më së pari, që mos të kem shkak të gëzohem e ta shfryjë inatin, kur ndonjë udhëheqësi t’i vdes gruaja.

Ndoshta, dikujt, fjalia e mësipërme i duket për të qeshur.

Unë aty gjej thelbin e referimit për rebelimin tim.

Dje, nuk u mora në asnjë rresht me gëzimin për vdekjen e të shoqes së diktatorit shqiptar.

Mendoj dhe bindje e kam, se çfarë janë punë të tokës duhen kryer në tokë. Ato, që i përkasin qiellit, neve na lënë të pafuqishëm, sepse pikë ndikimi nuk kemi në atë hapësirë.

Shkruajta, se ndihem keq për tmerrin, që do të përjetojë ferri, nga prania e një hidre me pêrvojë, në atë krater flakësh.

Ajo çfarë vlen të analizohet në furinë e mjedisit real dhe virtual është urrejtja, që dëshmohej në çdo rresht. Kjo riktheu tek unë, por jo vetëm, se shoqëria shqiptare është e papajtuar, në mos me armiqësi të egër brenda vetes. Këtë urrejtje po e trashëgojmë te gjenerata tjetër.

Nuk ka investim më të keq te një popull, sesa kultivimi i armiqësive. Arsyet pse shpërtheu urrejtja në përmasa të tilla janë sa të mbushësh një minierë, por po shënoj vetëm aq sa torba e ditës mban.

1- Trashgimtarët e të vrarëve me apo pa gjyq, ende nuk kanë gjetur eshtrat e familjarëve.

2- Ish pronarët humbën pronat në mënyrë definitive.

3- Askush nuk u gjykua, për gjëmën, që i shkaktuan Shqipërisë, shqiptarëve dhe çeshtjes kombëtare në 50 vite.

4- Një ndjesë zyrtare apo publike, kurrë nuk u artikulua nga protagonistët e ndërtuesve të ferrit në tokë.

5- Pasuritë dhe kapitalizmi janë në duar të pinjollëve të asaj klike.

6- Ideuan dhe krijuan njeriun hibrid trushpëlarë, që nuk njeh fe, moral, pronë dhe humanizëm.

7- Sepse prishën kultet fetare dhe pushkatuan barinjtë shpirtëror.

8- Shitën interesat kombëtare në të gjitha planet.

9- Ende vazhdojnë të ofrojnë beteja, fitore, lavdi dhe histori të rreme duke na plasur shpirtin e mëndjen.

10- Frytet e kapitalizmit “armik”, po i vjelin pikërisht, administatorët e gulagut 50 vjeçar (1945-1990).

Janë edhe 89 arsye të tjera.

Gjithsej 99 ose një Nexhmije plotë me të zeza.

Nuk po i shënojë në këtë statistikë sepse kushdo ì ka mbi familen e Tij.

Ndjesitë dhe reagimi është personal dhe varet nga sa i mban mëndja, zemra, shpatullat dhe shpirti i tij.

Këto pra, më detyrojnë, për të qënë në Shesh më dt 2 Mars.

Ndjesë, nga 89 të pashënuarat, po veçoj dhe njërën.

Demokraci e humbur, për rrjedhojë, krijon Diktaturat.

Nexhmijet krijohen në mjedise të tilla.