41 aplikime për të qenë ambasador i BE në Tiranë, më shumë se kudo tjetër, dhe Rama që i pyet, pse?

Rama ka nxjerrë një detaj për të ilustrruar se sa është rritur interesi i diplomatëve të huaj për të punuar në Tiranë gjatë viteve të fundit. Ky interes, sipas tij, është më i madh se në shumë vende të tjera europiane sidomos gjatë viteve të fundit.

Po përse për këta diplomatë Shqipëria po konsiderohet si toka e premtuar? Sipas Ramës arsyeja është se këtu është “shumë bukur”, kur në të vërtetë qytetarët mendojnë krejt ndryshe nga Rama.

Ajo që Rama konstaton është e vërtetë në lidhje me kthimin e këtij vendi gjatë viteve të fundit në “tokën e premtuar” të diplomatëve, por ajo që ai harron të thotë është se ky vend u kthye po ashtu në tokën e mallkuar të shqiptarëve prej nga kanë marrë arratinë duke kërkuar azil në vendet e BE më shumë se gjysëm milionë shqiptarë.

Rama ka mbajtur një fjalë përshëndetëse sot në aktivitetin e organizuar për 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Shefi i maxhorancës e nisi duke treguar një bisedë me ish-shefen e diplomacisë europiane se si për vendin e ambasadorit të BE në Tiranë aplikuan 40 kandidatë dhe theksoi se është një qytet ku gjithmonë duan të kthehen.

“Nuk e mbaj mend saktësisht vitin por mbaj mend që ishte i hapur vendi i punës për ambasadorin e BE-së dhe rastësisht kam takuar shefen e atëhershme të diplomacisë europiane që më tha ‘çfarë ndodh me Shqipërinë’? S’e kuptova pyetjen, tha ‘kemi disa vende për ambasadorë dhe kemi hapur aplikimet.

Për vendet e BE-së ka një mesatare të zakonshme 9-10 aplikime, për vendin në Tiranë janë 41 aplikantë. Çfarë është ai vend, pse duan të vijnë në Tiranë’?

‘Përveç kësaj’ tha, ‘ka ambasadorë aktualë që janë ambasadorë ose që janë në pozicione të mëdha në ambasada nëpër botë që kanë qenë në Tiranë dhe duan të kthehen në Tiranë’.

I thashë kush janë, më tha ‘nuk mund ta them dot’. Mora vesh që njëri ishte sekretar i parë në një nga ambasadat më të mëdha të botës. I çova e-mail dhe e pyeta a është e vërtetë që ke aplikuar të kthehesh në Tiranë? Dhe më shkroi, ‘po e vërtetë është, po ke qenë në Tiranë s’ka kontinent që ta mbush syrin’.