20 shkurti, Basha: Të ndezim flakën e shpresës për çdo shqiptar dhe le të betohemi se…

Lulzim BASHA

Ajo që shënoi 20 shkurti para 29 vitesh, është vepra më e pastër dhe më e kulluar e guximit të çdo shqiptari. Ndaj falënderimi dhe mirënjohja i takon të gjithëve, gjithsecilit që 29 vite më parë, ndezën brenda shpirtit të tyre shkëndijën e shpresës. Bënë brenda shpirtit të tyre të ndizej, bashkë me shkëndijën e shpresës të secilit prej pjesëmarrësve, edhe flakën e lirisë e të demokracisë të ndërgjegjes së një kombi.

Sot jemi mbledhur këtu për ta përkuajtuar atë.
Me të njëjtin patos, qytetarët u vërsulën për të qëndruar pranë ëndrrës së studentëve, dhe bënë të mundur me kurajon e tyre, jo vetëm shembjen e shtatores së diktatorit, por edhe sjelljen para këmbëve të studentëve në grevën e urisë, të asaj që përfaqësonte frikën, tmerrin, terrorin dhe simbolin e një diktature 50 vjeçare.

Me të njëjtën kurajo qytetarët e Tiranës i janë bashkuar artistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, që mbrojnë shumë më shumë se një godinë, që i tregojnë një bote të tërë se shqiptarët nuk janë ata ku i ka katandisur ky regjim. Nuk janë njerëzit e frikës.

Nuk janë njerëzit e vesit. Nuk janë njerëzit e trafiqeve. Nuk janë njerëzit e krimit. Por janë populli fisnik që di të mbrojë me çdo sakrificë, artin dhe artistët, elitën e shpirtit dhe të mendjes. Që di ti bëjë fre babëzisë, atëherë kur duket se ajo nuk ka kufi.

Që di të bëhet diga e fundit e padrejtësisë, atëherë kur duket se padrejtësia ka pushtuar gjithçka. Që di të mishlojë trup më trup, mendje me mendje, sup më sup, të drejtën kushtetuese që e bëjnë Europën, Europë, atëherë kur Kushtetuta duket se ka dhënë shpirt.

Ky është mesazhi i qëndresës për mbrojtjen e Teatrit, që meriton të përjetohet si pjesë e monumentit të munguar të guximit të 20 shkurtit.

Miqtë e mi!
19 shkurti i vitit 1991, ishte një natë e ftohtë të cilën e mbaj mend shumë mirë. Për rastësi u gjenda në pak çaste pranë shtatores së vetmuar të diktatorit që do të binte të nesërmen. Si shumë kush që mund ti kujtohet ajo kohë, e le ta dinë edhe ata që ishin tepër të vegjël për ta kujtuar, apo akoma nuk kishin lindur, ishte një natë e mbushur me pezëm, hidhërim e pasiguri.

Pas lëvizjes së dhjetorit, për dy muaj, natë pas nate, ditë pas dite, pasiguria dhe pezmi po na pushtonte, ku dukej se pak apo aspak po lëvizte.
A ka kombi një shpirt?!
A ka populli një shpirt?!
A ka masa një shpirt?!

Po.
Ka shpirtin e më të guximshmit mes nesh.
Ka shpirtin e më kurajozit mes nesh.

Ka shpirtin e atij që shpresën e vet e ndez për të gjithë Shqipërinë, për gjithë shoqërinë, për gjithë kombin, dhe bën që të ndezët për çdo zemër, forca dhe kurajo që di të shkallmojë edhe forcën më të pathyeshme të diktaturës si 29 vite më parë.

E çfarë është kjo para gjendjes në të cilën ndodhemi sot, përveçse masa e papaguar e mëkatit tonë kombëtar?! E mos reflektimit tonë deri në fund, për padrejtësitë që përjetuam dhe që ushtruan ndaj bashkëqytetarëve tanë! Për faktin që shkelën dhe përdhosën krenarinë e tjetrit, pa e ditue se kështu do të përdhosnin dhe tonën! E mungesës së ndjesës së sinqertë dhe respektit për ata që sakrifikuan, burra dhe gra kurajozë, disidentë politikë, priftërinjë e hoxhallarë, intelektualë, artistë.

Por, kurrë nuk është vonë të kërkojmë ndjesë e të pendohemi për mëkatet tona përsona, për mëkatet tona kombëtare.

Ti kërkojmë Zotit të na japë forcë ti tejkalojmë dhe sëbashku si një komb i virtytit të vlerave, me këtë provë të qëndresës së vlerave, përqafojmë edhe ne atë destin, që perëndia na e ka dhënë para syve dhe na e ka rrënjosur shpirtin tonë, destinin e vetëm të Shqipërisë e të shqiptarëve, të Shqipërisë si gjithë Europa. Të Shqipërisë së artit, të Shqipërisë së kulturës, të Shqipërisë së dinjitetit, të Shqipërisë së qëndresës.

Zoti ju bekoftë ju qëndrestarë kurajozë që rrëzuat diktaturën.
Bashkë ta ndezim flakën e shpresës për çdo shqiptar e çdo shqiptare dhe këtë natë të ftohtë të 20 shkurtit 2020, le të betohemi sëbashku se shpirtrat tanë, forca jonë, mendjet tona, trupat tanë, do të jenë bashkë deri në realizimin e qëllimit më fisnik që një komb mund të ketë: të sigurojë liri dhe dinjitet për fëmijët tanë, për Shqipërinë tonë.
Zoti ju bekoftë!