100 vjetori/ Tirana ndodhet nën thundrën mizore të pushtetit djallëzor të Rilindjes, që e mishëron më së miri Erion Veliaj

Nga Belind KËLLIÇI

100 vjet Tirana kryeqytet!
Do të doja shumë që qyteti ku jam lindur dhe rritur të kishte sot një festë dinjitoze për 100-vjetorin e tij. Tirana, kryeqyteti ynë, ka qenë gjithmonë qendra e zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor të vendit. Por sot, në këtë ditë të veçantë për Tiranën, ajo ndodhet nën thundrën mizore të pushtetit djallëzor të Rilindjes, që e mishëron më së miri Erion Veliaj, politikani i cili nuk ka asnjë lidhje biologjike apo shpirtërore me Tiranën.

Sot duhej të festonim për Tiranën si një kryeqytet europian, por ajo është shumë mbrapa standardeve dhe kryeqyteteve europiane. Tirana, sot është e zhytur në korrupsion e paligjshmëri. Tirana sot vuan për ajër të pastër, për hapësira publike, rrugë të lira, për parqe e lulishte.

Tirana sot duhej të ishte ndryshe, duhej të ishte një kryeqytet i cili të mishëronte përpjekjet më të mira për të kapur zhvillimin e humbur, një kryeqytet që të gjithë do t’a kishin zili, e jo të ishte një kryeqytet eksperimental ku po implementohen të gjitha politikat shkatërruese të përjashtuara nga qytetet e tjera europiane.

Tirana meriton shumë më shumë se sa fasada aktuale, pasi me bujarinë, zemrën e madhe, atdhedashurinë dhe mikpritjen karakteristike, Tirana vijon të jetë ëndrra e çdo të riu, ëndrra e çdo shqiptari.

Gëzuar Tirana ime ❤️