Zbulohen dokumentat: Veliaj 10 ditë në muaj jashtë shtetit, 273 milionë lekë për bileta avioni

Njëzet milionë lekë të vjetra në muaj i kanë kushtuar mesatarisht Bashkisë së Tiranës, fluturimet e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe stafit të tij jashtë vendit. Vetëm gjatë vitit 2019, bashkia e Veliajt ka harxhuar mbi 270 milionë lekë të vjetra për udhëtimet jashtë shtetit.

‘News24’ siguroi të dhënat e Drejtorisë se Përgjithshme të Thesarit, për pagesat e kryera nga Bashkia e Tiranës për bileta udhëtimi jashtë shtetit dhe për dieta. Ne rastet kur specifikohet se bileta është paguar për kryebashkiakun Veliaj, vlera shkon deri në 2 milionë leke të vjetra.

Erion Veliaj që servir thuajse çdo ditë pamje nëpër televizione sikur punon në Tiranë, të paktën 10 ditë në muaj ndodhet jashtë vendit. Referuar të dhënave te sistemit Tims, rezulton se Veliaj renditet në listën e zyrtarëve të lartë, që më shumë ka qenë në udhëtime jashtë sesa në zyrën e tij të punës në qendër të Tiranës.

Të dhënat flasin, edhe për disa fluturime të kryebashkiakut me charter, të cilat kushtojnë jo pak për buxhetin e bashkisë. Në listën e pagesave bien në sy edhe fatura të tilla deri në 14 milionë lekë të vjetra që janë përshkruar vetëm si likujdim për bileta udhëtimi për transport ajror ndërkombëtar.

Krahasuar me shpenzimet e Bashkisë së Tiranës për rininë, gratë apo për qytetarët me sëmundje apo paaftësi, vlera e udhëtimeve të kryebashkiakut fluturues kap shifra disa herë me të larta. Saktësisht janë 273 milionë lekë të vjetra në vit para të hedhura në ajër, nga taksat e qytetarëve të Tiranës./News24/