Vrasjet, pengmarrjet dhe grabitjet, ish-drejtuesi i Policisë: Sfidim total i shtetit

154

Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e sotme Korçën, kur në mesditë shtetasi Zamir Topi goditi më sopatë për vdekjen në pazarin e qytetit shtetasin Dashnor Osmani.

Sipas burimeve nga qendra e shëndetit mendor në Korçë, autori ishte i pajisur me kartelë të shëndetit mendor, dhe se ishte në kujdesin e mjekëve.

Gjatë marrjes në pyetje në polici, autori u shpreh se e goditi bashkëfshatarin e tij, pasi nuk i kishte rregulluar varrin e nënës.

Ndërkohë që një makinë policie është vendosur në derën e shtëpisë së autorit për të parandaluar një hakmarrje të mundshme.

Ish-drejtuesi i Policisë: Sfidim total i shtetit

I ftuar në Syri TV, ish drejtuesi i Policisë së Shtetit Ismail Elezi ka komentuar situtën e rëndë me krimin në vend.

Duke u nisur nga ngjarja makabre sot në Korçë, Elezi u shpreh se këtu nuk bëhet më fjalë për forcë ligji apo prezencë policie.

“Vrasje që të le pa fjalë. Vrasje me metoda çnjerëzore. Të godasësh në vitin 2020 me mjete të forta, siç është sëpata, lajm më i rëndë nuk di të them. Ajo që të bën përshtypje, qytetari ose autori, me kurajo, me guxim, merr mjetin prerës dhe e godet në mes të qytetit. Më ka lënë pa fjalë. Nuk do t’ia dijë as për ligj e as për polici, por bën atë që ka në mendje ai. Ku bëhet më fjalë për forcë ligji këtu? Vetëm forcë ligji nuk ka”, u shpreh ish drejtuesi i Policisë së Shtetit.

Sa i përket ngjarjeve të rënda kriminale që kanë ndodhur në këtë fillimviti, Elezi deklaroi se të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët: sfidim i shtetit.

“Para 5 ditësh, në Allias, grabiten dhe plagosen dy bashkëshortë. Futet elementi kriminal dhe godet. Një natë më parë, futet kunati dhe vret kunatën në banesë. Një ditë më parë, goditet tjetri në mes të zonës së banuar me pistoletë dhe i merret jeta. Më vonë, merret tjetri peng dhe niset drejt Durrësit dhe askush nuk e ndalon. Merret me dhunë në mes të qytetit. Ikën në Durrës ose Shijak. Rri në një resort dhe thuhet që iu ka ngelur në dorë. E kanë hedh, e kanë djeg trupin? Ata e dinë.

Të gjithë ngjarjet kanë një emërues të përbashkët, sfidim total i shtetit.Vetë koha, vetë ngjarjet, vetë dinamika po vërteton këto që po themi e po kërkojmë ne: të zbatohet ligji, të ketë rend dhe qytetari të jetë i sigurtë”, vijoi Ismail Elezi.

A duhet të ketë dorëheqje?
“E kam thënë edhe herë të tjera. Ministria e Brendshme, jo pa dashje, është bërë pjesë e strukturës së Policisë së Shtetit. Pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme. Para 7 apo 8 vitesh, MB ka bërë politikat por kurrë në asnjë rast, ministri i brendshëm nuk është futur në punët e Policisë së Shtetit”, u shpreh Elezi.