Vëllai i deputetes së Ramës do të bëjë kontrollin e gjykatësve dhe prokurorëve

100

Ish-Avokati i Shtetit, Artur Metani është zgjedhur kryetari i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Metani, që është edhe vëllai i deputetes socialiste Eglantina Gjermeni ka marrë 98 vota PRO dhe vetëm 8 Kundër.

Në listën që KED i ka dërguar Kuvendit, Metani ishte renditur i parë në garën për drejtimin e institucionit që pritet të hetojë veprimtarinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndërsa kandidatët ishin; Sokol Stojani, Joana Asimi Sorraj, Eris Hysi dhe Lindita Troja.

Metani nuk plotëson kriteret formale ligjore për të qenë pjesë e garës për Kryeinspektor të Drejtësisë, por ky fakt nuk e ka penguar aspak Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED) që, jo vetëm ta kualifikojë, por edhe ta rendisë të parin në listën prej 5 kandidatësh.

Opozita ka akuzuar më herët kryeministrin Edi Rama se po kap Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata, në një deklaratë për mediat, deklaroi se kandidati Artur Metani që u kualifikua nga KED nuk mund të zgjidhet Inspektor i Lartë i drejtësisë.

Sipas tij në 10 vitet e fundit Metani ka mbajtur post politik ndaj vendimi i KED-së është në shkelje kushtetuese.

ÇFARË ËSHTË INSPEKTORIATI I LARTË I DREJTËSISË?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, për një periudhë 9-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje, nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ai nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet nga lista e pesë kandidatëve të përzgjedhur dhe renditur mbi bazën e meritave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas një procedure transparente dhe publike. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej tri të pestave për asnjë prej kandidatëve brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës, kandidati i renditur i pari shpallet i emëruar.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë gëzon statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.