Veliaj qindramijëra euro për udhëtime me avion nëpër Europë, pushimet e luksit nga Stambolli në Vienë

Erion Veliaj, mund të konsiderohet pa frikë kryebashkiaku fluturues. Jemi mësuar ta shohim qytetarin e parë të Tiranës, të flasë thuajse çdo ditë në media, për pyllin orbital, duke shërbyer vakte në qendrat sociale, apo dhe duke inspektuar nga afër shkolla e kopshte.

Në fakt, në jo pak nga këto raste, Veliaj nuk ka qene në Shqipëri por ka servirur në media filmime të regjistruara më parë, ndërkohë që ka qenë në avion duke fluturuar jashtë vendit.
‘News24’ bëri një vëzhgim rreth veprimtarisë së Veliajt dhe kërkoi të dhëna në sistemin TIMS, për të konfirmuar numrin e udhëtimeve te tij jashtë vendit gjatë viteve në detyrë.

Referuar të dhënave zyrtare, rezulton se Veliaj renditet ne listën e zyrtarëve të lartë që pa asnjë mëdyshje mund të thuhet se më shumë ka qëndruar në ajër, sesa në zyrën e tij të punës në qendër të Tiranës. Sipas të dhënave, rezulton se vetëm në 2019 kryebashkiaku ka udhëtuar rreth 3 herë në muaj, në destinacione të ndryshme, si Londër, Paris, Vjenë, Amsterdam, Pragë, Romë, etj, për çështje që kryesisht janë servirur se kanë të bëjnë me detyrën e tij dhe janë në interes të qytetarëve të Tiranës.

Nga të dhënat rezulton se z.Veliaj ka dalë nga Shqipëria me datë 1 janar me destinacion Stambollin dhe ka hyrë në vend me 8 janar. Me datë 26 janar ka udhëtuar sërish në drejtim të Vjenës, për t’u rikthyer tri ditë më vonë. Në mars kryebashkiaku ka fluturuar në drejtim të Milanos, ku ka qëndruar 4 ditë. Në datë 3 prill ka udhëtuar në drejtim të Romës, prej andej në Frankfurt dhe ka hyrë në Shqipëri me automjet, në pikën e Kalimit Kufitar në Qafë-Thanë.

Udhëtimi ka zgjatur 5 ditë. Të dhënat flasin, edhe për disa udhëtime të kryebashkiakut me charter, udhëtime që kushtojnë jo pak për buxhetin e bashkisë. ‘News 24’ disponon të plota të gjithë lëvizjet e z.Veliaj që nga viti 2006 dhe nga përllogaritjet e bëra rezulton që ai ka harxhuar shuma të konsiderueshme parash vetëm për bileta avioni.

Veliaj, 85 mijë euro shpenzime luksi për fluturime me avion ne 2015
Kur varfëria ka prekur thuajse gjysmën e shqiptarëve, siç thuhet në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, qeveritarët vazhdojnë të rrisin shpenzimet e luksit. Dhe këtë po e bëjnë jo vetëm pjesëtarët e ekipit të qeverisjes qendrore, por edhe të zgjedhurit lokalë. Rasti më flagrant është ai i Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka programuar të shpenzojë 11 milionë e 700 mijë lekë të reja apo afro 85 mijë euro, vetëm për bileta avioni, për vitin 2016.

Kaq është shuma që ai i ka vënë në dispozicion Agjencisë së Prokurimit Publik. Tenderi, siç shihet në dokumentin e siguruar ekskluzivisht nga “Lapsi.al”, është zhvilluar më 15 mars 2016. Objekti i prokurimit është “Blerje bilete udhëtimi për transport ajror ndërkombëtar për Bashkinë e Tiranës për vitin 2016”.

Afati për realizimin e këtij shërbimi është 31 dhjetori 2016. Po për çfarë i nevojiten Bashkisë së Tiranës kaq shumë bileta avioni? Në këtë buxhet duket se janë futur edhe biletat për 20 gazetarët që Veliaj mori me vete në Milano në fundjavë, për të asistuar në takimin e tij privat me arkitektin Stefano Boeri.

Nuk përjashtohet mundësia që Veliaj të ketë parashikuar të tjera udhëtime si ky i kësaj fundjave, për të shëtitur nëpër botë që të shohë si ç’punë kanë realizuar arkitektë e artistë të ndryshëm, se si po i gjelbërojnë ata kryeqendrat e botës, ndërkohë që Veliaj akuzohet në Shqipëri se po varros edhe të vetmen hapësirë të gjelbërt të Tiranës.

Veliaj, siç rezulton nga shuma që do të shpenzojë për fluturime ndërkombëtare, duket se do të fluturojë jo pak këtë vit. Dhe shpenzimet janë disa herë më të mëdha, pasi me 11.7 milionë lekët e reja do të blihen vetëm për biletat. Këtu nuk përllogariten hotelet apo darkat e luksit.

Nga mazhoranca parlamentare janë jo të paktë qeveritarët e vënë nën akuzë nga kundështarët politikë se po shpenzojnë më shumë kohë jashtë vendit, sesa në Shqipëri. I pari në listën e atyre që ka fluturuar më shumë jashtë është Kryeministri Edi Rama.

Erion Veliaj i ka tashmë më të pakta mundësitë protokollare për të qenë pjesë e delegacioneve qeveritare në udhëtimet jashtë vendit, pasi nuk është pjesë e kabinetit qeveritar. Por për të mos mbetur mbrapa ish–kolegëve në qeveri, ai duket se i ka rezervuar vetes të tjera privilegje luksi, të paguara me taksat e qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës, të cilat i ka rritur jo pak me të ardhur në krye të Bashkisë.