Tre të vdekur në 24 orë në spital, ISHP: Efektivi i policisë kishte “Meningokok C”, për të tjerët priten analizat

Instituti i Shëndetit Publik ka zbuluar shkaqet e vdekjes tragjike të policit të Rrugores, Mariglen Mestani, në moshën 27-vjeçare.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, tha se polici vdiq nga sëmundja e meningjitit, ose meningokoksemisë. Sipas Binos, ky është një infeksion i rëndë, që ka një evolucion tepër të shpejtë dhe është fatal.

“Është infeksion i rëndë, fatal, që ka një evolucion tepër të shpejtë. Është një sëmundje e transmetueshme dhe për personat e kontaktojnë marrë masat e duhura. Nuk ka rrezik, pasi të gjithë personat që kishin kontakt me personin e prekur kanë marrë antibiotikët.

Kemi vetëm një rast të evidentuar. Rasti i Durrësit nuk ka dyshim për sëmundje të tillë. Mostrat po analizohen, duhet të presim rezultatin dhe të themi të vërtetën”, tha Bino.