Terminali i ri boshatis autobusët, shoferët: “Harxhojmë më shumë karburant dhe kohë, klientë më pak”

Prej datës 12 janar të këtij viti, autobusët dhe fugonat e veriut, jugut dhe qytetit të Durrësit kanë lëvizur nga ish-Dogana dhe janë pozicionuar tek kthesa e Kamzës.
Procedura e tenderimit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e terminalit të ri është hapur që në vitin 2016, me një vlerë prej 15.5 milion eurosh, pa përfshirë TVSH-në.

Fitues të këtij tenderi janë shpallur shoqëritë “SALILLARI SHPK & Hellas Servis SHPK & Analysis Computers & Software S.A. & Klodioda SHPK” të cilët do të menaxhojnë hapësirën prej 85,000 metrash katrorë deri në 35 vite.

Kryebashkiaku Veliaj, në një video të shpërndarë në profilin e tij të Facebook-ut ka treguar se 100-vjetori e gjeti kryeqytetin me punë konkrete dhe u kërkoi qytetarëve që të bënin pak durim derisa të kryhet i gjithë procesi i zhvendosjes.

“Ç’DËGJOJ UNË- LUM SI UNË! ÇFARË SHOH UNË- MJERË SI UNË!”
“Ç’dëgjoj unë- lum si unë! Çfarë shoh unë- mjerë si unë! Do ta bëjmë kështu, e do ta bëjmë kështu e realisht ja ku jemi”. Në këtë formë u shpreh drejtuesi i fugonit të Burrelit, pak para se të bëhej nisja e automjetit që ai drejton, i zhvendosur tashmë tek terminali i ri.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë, shoferi i fugonit të Burrelit rrëfen se ky terminal nuk plotëson kushtet bazike.

“S’ke banjo ku të shkojsh, unë marr malet… kjo është për të qesh për Vit të Ri, skeç. Nuk ka banjo!”, shpjegon ai për Citizens Channel teksa ngre shqetësimin se mjedisi i hapur i terminalit do i shkaktojë probleme në ditët me shi dhe gjatë stinës së verës.
“Me ra shi tani, unë jam vetëm, unë do mbyll derën.

Femrat nuk më njohin, a më vijnë ato në makinë? Kur të vijë vera, këtu do jemi. Jemi duke u pjek që tani“, artikulon në vijim drejtuesi i kësaj linje, i cili nuk dëshiron të identifikohet.

MË SHUMË TRAFIK, MË SHUMË KOSTO, MË PAK FITIM
Edhe drejtuesit e linjave të tjera ndajnë të njëjtin shqetësim. Shoferi i Fushë-Krujës shpjegon se pasagjerët janë shumë të irrituar nga ndryshimet e shpeshta të terminalit.

“Ka ndiku, deri tani që po shohim gjithë këto ditë më një fjalë, për keq. Për arsye se njerëzit janë të ç’rregullum, u duket sikur tallje. Se fillimisht, stacioni ka qenë tek ish-stacioni i Treni, nga atje tek Zogu i Zi, nga Zogu i Zi tek Dogana, nga Dogana tek Casa Italia. Ju është fiksu sikur po e çojnë në Vorë stacionin“, thotë ai teksa tregon se ka një rënie të punës me 50%.

Ky ndryshim është shoqëruar me një kosto të madhe financiare për të punësuarit në këtë sektor.

“Në qoftë se, bie fjala, më përpara do harxhoja 5000 lekë naftë, tani do harxhoj 7000-8000 lekë. Në qoftë se më përpara humbja gjys ore, tani do humb një orë e gjys. Naftë harxhojmë më shumë, kohë harxhojmë më shumë, klientë më pak. Kemi shumë vështirësi që të përballojmë taksat. Kërkojmë ndihmën e të afërmve tonë që të mbyllim vitin“, artikulon ai.

Zotëria rrëfen se është kthyer nga emigrimi katër vite më parë dhe ka ardhur qëllimisht për të hapur një biznes këtu e për të investuar për vendin. Ai shprehet se vështirësitë po e detyrojnë të mbyllë biznesin dhe të largohet sërish nga Shqipëria.

“Unë erdha që të hap një diçka për vendin tim, për popullin tim… është e kotë. Unë po pres ditën, sa të më skadojnë dokumentet e këto gjërat, nuk do i rinovoj më, do ta mbyll edhe do kthehem prapë aty ku isha“, përfundon shoferi i linjës së Fushë-Krujës, i cili heziton t’i ngrejë këto problematika me të dhënat e tij personale.

Ndërsa drejtuesi i mjetit që ndjek itinerarin Tiranë-Durrës shprehet se kjo zhvendosje ka rritur shumë trafikun, pasi fillimisht i duhet të kalojë në Kamzë, e më pas të dalë në autostradë. Ai ngre shqetësimin se i janë larguar klientët e rregullt.

“Trafik, ndotje, karburant që digjet. Nuk kursejmë dot as naftë, e harxhojmë të gjithë këtu në trafik. Ne shkojmë një herë në Kamëz. Gjys ore apo 45 minuta ne rrimë këtu, ndërkohë ne për gjys ore kemi pas shku në Durrës, tani nuk shkojmë dot.[Merr kohë] një orë, një ore e çerek“.

TERMINALI I RI KA ZBRAZUR AUTOBUSËT DHE KA NXITUR PALIGJSHMËRINË
“Klientela ka rënë me 70%, bosh, për 20 minuta nisem, vetëm dy veta kam” thotë fatorinoja e linjës Tepelenë-Tiranë. Ai, bashkë me drejtuesit e tjerë të linjave shprehen se ky ndërrim i ka detyruar njerëzit të përdorin forma të tjera alternative të cilat janë të paligjshme.

“Na janë larguar komplet dhe pasagjerë që kemi pasur të rregullt që udhëtonin me neve. Ai udhëton nga Tepelena, që hipën një taksi 8+1, paguan 1000 lekë, të vijë me neve nga Tepelenë në Tiranë paguan 800 lekë me linjë autobusi. Ai më mirë hipën tek taksia“, rrëfen fatorinoja, i cili shpjegon se autobusi paraardhës i këtij qyteti është larguar me vetëm katër pasagjerë.

“Ka ditë që nuk i kemi mbyllur shpenzimet për shkak të mungesës së pasagjerëve. Po nuk morëm pasagjerë, me çfarë t’i mbyllim shpenzimet? 9000 lekë i dua vetëm naftë. Dje pagova sigurimet, vajta i mora pensionin mamit që pagova sigurimet e mia“, shprehet më tej për Citizens Channel fatorinoja i autobusit të Tepelenës.

“Të gjithë ata të paligjshmit i ke në rrugë të Tiranës, i ke tek 21-shi me radhë. Pa taksa, pa asnjë gjë. Në mes të rrugës i ke, të shqyejnë xhaketën. Shteti kur funksionon, funksionon për të gjithë njësoj“, ngre shqetësimin shoferi i një linje tjetër, asaj të Vlorës, i cili bën me dije se të gjithë klientët e dikurshme po shkojnë drejt mjeteve pa licensë.

Konkurrenca, sipas tij është dyfish e padrejtë. Autobusi që ai drejton shpenzon më shumë naftë, e ka të ndaluar të ecë mbi normën e lejuar të shpejtësisë, rregulla të cilat nuk aplikohen tek mjetet që ushtrojnë veprimtari në mënyrë të paligjshme, shtjellon më tej drejtuesi i autobusit të Vlorës.

Jo vetëm për zotëruesit e automjeteve, edhe për pasagjerët kostoja dhe pakënaqësia është rritur.

“Unë banoj tek Shkolla e Bashkuar, me duhet të marr Kombinatin të vij deri në qendër, nga qendra më duhet të marr Institutin, të vij deri këtu. Nuk po qaj më tepër koston, po qaj kohën, sepse ka shumë trafik dhe më duhet një orë që të vij nga andej deri këtu. Të vish deri këtu, të do 1000 lekë taksia“, shprehet një udhëtare e linjës Tepelenë-Tiranë, e cila nuk dëshiron të identifikohet.

Ka edhe nga ata pasagjerë që përdorin nota sarkazme kur u kërkohet mendim rreth zhvendosjes së terminalit.
“Janë ngop të gjithë me gënjeshtra, sa nuk u bëhet që të hanë bukë më“, ironizon udhëtari.
*Citizens Channel/ Entenela Ndrevataj