Tension në ishujt e Greqisë/ Vendasit protestojnë kundër emigrantëve që vijnë nga Turqia

Pothuajse të përditshme po bëhen reagimet e tensionuara të banorëve të zonave të ndryshme të Greqisë dhe sidomos të tre ishujve të Egjeut Samos, Hios dhe Lesbos sa i përket çështjes së emigracionit.

Këtyre reagimeve nuk u ka shpëtuar as zv/ ministri grek i Punës që është pritur me fishkëllima dhe britma zemërimi nga banorët e Hios gjatë hyrjes së tij në mbledhjen e Këshillit bashkiak ku tema kryesore ka qenë pikërisht protesta për krijimin e qendrave të mbyllura për emigrantët dhe refugjatët në ishujt e Egjeut.

Megjithëse qeveria greke po përpiqet të transferojë mijëra emigrantë në Greqinë kontinentale, banorët e tre ishujve në fjalë me kampet e tyre të emigrantëve tashmë të mbipopulluara, protestojnë vazhdimisht për gjendjen në të cilën ndodhen, ndërsa fluksi i refugjatëve që vijnë nga brigjet turke nuk ndalon.

“Numri i banorëve vendas arrin në 7000 vetë tani në dimër. Kurse i emigrantëve dhe i refugjatëve shkon në 9000 vetë”- tha Georgios Stantzos kryebashkiaku i Samos.

Javën që vjen është planifikuar në këto tre ishuj ,protestë e përgjithshme e banorëve që kërkojnë zgjidhje nga qeveria, por edhe ndihme nga BE.

“Nuk mund të flasim sot për mungesë fondesh, por për një indiferencë të qëllimshme për të ndihmuar këta njerëz”- tha një punonjëse e ‘Mjekëve pa Kufij’.

Greqia vazhdon të jetë në vijën e parë të krizës së migracionit në Europë duke pranuar gjatë vitit që kaloi mbi 60000 emigrantë nga Turqia të cilët vijnë kryesisht nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme, por edhe Afrika e Veriut, me synim Europen qendrore.

E ndërsa për disa mijëra pasi vijnë, fillon kalvari i vonesave për të marrë kërkesën e azilit dhe pritja në kampe me kushte tepër të vështira, shumë të tjerë nuk arrijnë të realizojnë ëndrrën e tyre që ndërpritet në menyrë tragjike në ujërat e Egjeut apo Mesdheut.