Shqipëria me indeksin e demokracisë më dobët dhe me korrupsion më të lartë se 2018, bie me 7 vende

189

nga Jorida Tabaku

Shqipëria e Ramës nuk është vetëm një demokraci hibride siç Indeksi i Demokracisë së The Economist raporton. Transparency International dhe raporti i botuar prej saj për vitin 2019 tregon se Shqipëria renditet e 106 duke pasur rënie në raport me një vit më parë.

Shqipëria është vendi i fundit në rajon dhe njësoj siç pohon DASH vendi më i korruptuar në këtë pjesë të planetit. Problemet me politikanë të korruptuar, mungesa e demokracisë institucionale, vendimmarrja e munguar e qytetarëve apo dhe trajtesat preferenciale janë elementë që kanë ndikuar në vlerësimin negativ.

Shqipëria është vendi ku 1 në 3 tendera jepen në mënyrë abuzive, ku ligjet dhe taksat shkruhen në zyrat e oligarkëve në shërbim të interesit të tyre personale dhe jo qytetarëve. Pikërisht nën këto standarte ne sot gjendemi të renditur më keq dhe kjo renditje dëshmon realitetin e Shqipërisë përballë korrupsionit.

Ka një rrugë për të shpëtuar nga sistemi korruptiv që është instaluar në Shqipëri. Beteja për tregun e lirë, konkurencën e ndershme në këtë treg, heqjen e çdo kontrolli që sjell barrë mbi biznesin, ndërtimin e institucioneve përgjegjëse. Një qeveri që nuk e komandojnë zyrat juridike të oligarkëve por që i harton ligjet në shërbim të qytetarëve. Mundësi për bizneset e vogla dhe jo rregullatorë dhe barriera për to në shërbim të bizneseve të mëdha, reformë e plotë zgjedhore që rregullon financimin e partive politike dhe transparencë në tenderat dhe koncesionet.

Shqipëria nuk ka më luksin të vuajë pasojat e keqqeverisjes së të paktëve ndaj shumicës. Ka ardhur koha që kumbarëve të korrupsionit t’u japim goditjen e merituar.