Rrahmani tek Napoli, zbulohet sa do ta ketë pagën

Amir Rrahmani pritet të jetë blerja më e re e Napolit. Klubi aktual i tij, Verona, pritet t’i përfitojë rreth 15 milionë euro nga shitja e kartonit të futbollistit të Kombëtares së Kosovës.

Sipas mediave italiane mbrojtësi prishtinas do ta nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare me gjigantin italian.

Nga kjo kontratë do të përfitojë para të majme edhe vet lojtari. Raportohet se Rrahmani do ta përfitojë një pagë fillestare prej 1.5 milionë euro, me mundësi rritje.

Kosovari e ka kaluar një sezon fantastik në Serie A.

Fillimisht 25-vjeçari kreu punë me sukses në kampionatin kroat me Dinamo Zagrebin dhe gjatë verës së kaluar iu bashkua Veronës.

Ai shfaqi siguri edhe në kampionatin italian, ku i zhvilloi 16 ndeshje në Serie A dhe një në Kupën e Italisë.

Paraqitjet e mira kanë bërë që Rrahmani ta bëjë për veti klubin e madh italian, Napolin.