Revolta e naftëtarëve: Erdhi kryeministri, i tha investitorit “do t’u japësh lekët”, iku! Kemi 32 muaj pa rrogë …

Punonjës të rafinerisë së Ballshit, repartit të zjarrfikëses dhe të nënstacionit elektrik të Ballshit kanë dalë në protestë sot pasi kanë përmbi 2 vite pa paguar, ndërsa ligjërisht dhe nuk ju lejohet të braktisin vendin e punës.

Dhjetëra punëtorë të cilët supozohet të mbajnë familjet e tyre kanë përmbi 2 vite pa marrë asnjë pagë, ndërsa vazhdimisht protestojnë para prefekturës së Fierit.

Një nga punëtorët u shpreh për Fax News se kjo histori vazhdon prej shumë kohësh, ndërsa përmend dhe vizitën e Ramës në rafineri kur një tjetër investitor mori ‘stafetën’.

“Erdhi Kryeministri Rama i tha investitorit të ri, ti do t’u japësh pagat këtyre. U bë një duartrokitje e bukur, pastaj iku“, shprehet njëri prej punonjësve.

Ndonëse borxhi që investitori apo shteti u kanë punonjësve shkon në miliona, ata kërkojnë që së paku ‘t’i lirojnë’ nga detyra dhe të vijojnë të kërkojnë një punë ku të paguhen rregullisht.

“Punëtorët nuk mund të lënë punën me urdhër të prefektit. Jemi në punë, nuk ikim dot nga puna sepse futemi në burg. Jemi 8 vetë, 4 i paguajnë dhe 4 jo. Të na thonë largohuni, kemi 32 muaj pa rrogë“, u shpreh një punonjës i nënstacionit elektrik në Ballsh.