Reagimi i Milos: S’kanë të krahasuar deputetët e 100 viteve më parë me këta të sotmit

21 janari i këtij viti shënon 100-vjetorin e parlamentarizimit shqiptar. Një ditë kur më së shumti vlerësohet puna e intelektualëve dhe elitave, të cilat kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në formimin e shtetit shqiptar.

Nëpërmjet historisë jemi njohur me kontributin, veprimtarinë dhe CV-të e shumë prej figurave më të rëndësishme të asaj kohe. Duke folur për parlamentaret e sotëm natyrshëm del pyetja: A janë këta elita intelektuale e popullit shqiptar?

Po debatet që zhvillohen në parlament të çfarë niveli janë? Për historianin Paskal Milo diferencat mes deputetëve të parë të Shqipërisë dhe deputetëve të tranzicionit janë shumë të mëdha.

“Kemi zhvillime që i ka sjellë koha, por nuk mund të bëhen krahasime me cilësinë dhe përgjegjshmërinë e atyre viteve parlamentare, me deputetët e asaj kohe, me një shumicë parlamentarësh aktualë, që rastësia i ka sjellë në Kuvend, ose një mënyrë jo e përshtatshme dhe aspak demokratike në radhët e Kuvendit të Shqipërisë.

Po të krahasohen me përgjegjshmërinë, përkushtimin e angazhimin e parlamentarëve të 100 viteve më parë lënë shumë për të dëshiruar. Është për të ardhur keq, po nuk është konstatim i njëanshëm”, deklaron Milo.

Për politologon Afrim Krasniqi niveli i deputetëve të sotëm në Kuvendin e Shqipërisë lë për të dëshiruar, për shkak se ata nuk kanë dhënë asnjë kontribut dhe nuk kanë asnjë CV të pasur për të marrë karrigen e deputetit.

“Problemi i madh është se në legjislaturat e fundit deputetët e shohin zgjedhjen e tyre si një dhuratë nga partia politike ose e konjukturës personale e liderit politik, dhe si e tillë nuk ndjenjë ndonjë detyrim publik për të lënë një CV.

Është shumë e vështirë të gjesh individë që kanë lënë gjurmë në parlamentin e tranzicionit, për arsye se kanë qenë gjithmonë dakord me liderin, pasi kanë pasur qëllim rizgjedhjen.

Ndaj dhe ne jemi përballur me dy fenomene të reja në dy legjislaturat e fundit, prurjen e madhe të biznesmenëve në politikë, që s’kanë lënë gjurmë në politikë, me përjashtim të skandaleve ose lajmeve negative, dhe njerëzve anonimë pa asnjë arritje në jetët e tyre. Këto dy kategori rezultojnë më pak aktive në parlament dhe me më pak gjurmë”, thotë Krasniqi.

Për nivelin e ulët të parlamentarizimit të ditëve të sotme, Krasniqi bën me faj kryetarët e partive, të cilët duke pasur mundësi zgjedhjeje në 3 milionë banorë, piketojnë persona që nuk e meritojnë xhaketën e deputetit.