Pse po largohen të rinjtë?

Numri i të larguarve nga Shqipëria vijon të shtohet dhe përmasat janë ato të një eksodi të madh. Shifrat flasin për më shumë se 500 mijë qytetarë të larguar gjatë këtyre shtatë viteve.

Arsyet e këtyre largimeve lidhen nga njëra anë me varfërinë dhe mjerimin në Shqipëri dhe nga ana tjetër edhe me represionin e ushtruar nga partia-shtet ndaj qytetarëve me bindje politike të kundërta të cilët bien pre e kërcënimeve dhe shantazheve të strukturave policore.

Bleona Prengzaj është një tjetër vajzë që është detyruar të largohet nga Shqipëria si pasojë e këtyre presioneve dhe shantazheve. Ajo ka qenë pjesë e strukturave rinore të PD dhe pjesë e protestave të disa muajve më parë.

Kohët e fundit, shumë veta kanë bërë ankesë se Partia Socialiste po përdor autoritetet shqiptare, pra policinë dhe Shërbimin Informativ Kombëtar, për qëllime politike. Kur Bleona Prengzaj, studente në Universitetin e Tiranës dhe Organizatore e Lëvizjes Studentore u tha pjesëmarrësve se agjentë të policisë së Shërbimit Informativ Kombëtar e kishin ndaluar disa herë dhe e kishin marrë në pyetje për punën e saj politike si Organizatore , e kishin keqtrajtuar dhe i kishin kërkuar të bashkëpunonte me ta kundër studentëve dhe Partisë Demokratike, zëdhënësit e Partisë Socialiste e mohuan.

Por ajo shpjegoi me detaje se ku e kishin ndaluar, përse dhe çfarë kishin kërkuar që të bënte për ata. Burimet nga Partia Demokratike, Partia Demokristiane dhe Shoqata e të Përndjekurve Politikë kanë konfirmuar se shumë punonjës të tyre janë ankuar se SHIK-u po i arreston, po i merr në pyetje për punët e tyre politike dhe po u kërkon të bashkëpunojnë me ta kundër partisë së tyre.

Kjo nuk është një taktikë e re për Shqipërinë. Sigurimi famëkeq e ka përdorur këtë taktikë për vite me radhë në kohën e komunizmit, por askush nuk pret që tani në “demokraci” të përdoret e njëjta taktikë, tha një organizatore nga Shoqata e të Përndjekurve, e cila dëshiron të mbetet anonim. Fakti që një pjesë e agjentëve të SHIK-ut kanë punuar për Sigurimin tregon se nuk i kanë harruar veset për shkatërrimin e kundërshtarëve politikë, tha Agostin Dekaj, Kryetar i Shoqatës së Përndjekurve të rrethit të Malësisë së Madhe.