Presioni ndërkombëtar, pranohet propozimi i opozitës: Reformë zgjedhore konsensuale jashtë parlamentit

177

Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk do të jetë vendi ku do të arrihet konsensusi mes qeverisë dhe opozitës për reformën zgjedhore. Këtë e përcakton “Kuadri i Bashkëpunimit për Reformën Zgjedhore”, i dakordësuar mes qeverisë dhe opozitës.

Pas disa muajve rezistencë dhe pas presionit ndërkombëtar, Partia Socialiste ka rënë dakord që diskutimet kryesore për reformën t’i bëjë një grup pune me përbërje të barabartë prej 4 anëtarësh.

Ata janë bashkëkryetarët e Komisionit për Reformën Zgjdhore, Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari, si dhe përfaqësuesit e koalicionit opozitar, Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili.

Propozimi që diksutimet për reformën zgjedhore të bëhen jashtë komisionit për reformën zgjedhore ishte pikë kyçe në dokumentin me 5 pika që opozita i paraqiti qeverisë në muajin tetor, në të cilin komisioni i reformës cilësohej si ilegjitim.

Përfaqësuesit e partive kanë rënë dakord për një tekst të përbashkët me 8 pika, ku janë reflektuar kërkesat e opozitës për ecjen përpara me reformën zgjedhore.

1. Miratim i reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike.

2. Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive.

3. Miratimi pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike.

Partitë e qeverisë dhe opozitës kanë rënë dakord të formojnë Këshillin Politik, një tryezë ku marrin pjesë, përfaqësues të opozitës së bashkuar, drejtuesit e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, si dhe përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvend.

Përveç rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, palët kanë rënë dakord të diskutojnë edhe çdo problematikë tjetër zgjedhore, që i shërben arritjes së standardeve zgjedhore ndërkombëtare.

Duke u angazhuar që të përfundojnë Reformën deri në 15 mars, qeveria ka rënë dakord të mos ndryshojë produktin e dakortësuar me opozitën, në Komision apo në seancë plenare.