Policia: I rrëmbyeri në Kamëz u ekzekutua!

Jak Prenga, i cili u rrëmbye në Kamëz të Premten e 17 Janarit, është ekzekutuar, konfirmoi këtë të martë Policia e Shtetit. Ndërkohë, katër persona janë vënë në pranga lidhur me ngjarjen. Dyshohet se rrëmbimi ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe, shtuan të njëjtat burime.

Prenga u mor peng pak ditë më parë në qendër të Kamzës, ndërsa policia gjeti pak minuta më pas mjetin e tij të braktisur në vendngjarje, si dhe gjurmë gjaku. Dëshmitarët në vendngjarje treguan se ai kishte debatuar me dy persona, të cilët ishin të maskuar dhe më pas ishte futur me forcë në makinën e tyre, e cila u gjet e djegur më vonë në afërsi të Fushë-Krujës.

Arrestimet dhe sekuestrimet

Jak Prenga, 49-vjeç u rrëmbye më 17 Janar në rrugën “London”, Kamzë. Menjëherë pas ngjarjes nisën hetimet ku u përdorën nga policia e prokuroria dhe metoda proaktive. Në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i posaçëm hetimor, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nxori urdhër për të ushtruar kontroll në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, si dhe urdhra ndalimi për disa shtetas.

Në këtë kuadër u zhvillua operacioni policor “Resorti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasve:

Leonard Hajri, 35 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë;
Olsi Turja, 36 vjeç, banues në Shijak;
Elton Hajri, 32 vjeç, banues në Shijak;
Bajram Hajri, 64 vjeç, banues në Shijak;

Gjithashtu, po në kuadër të operacionit, gjatë kontrolleve të kryera në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celular, 4 automjete dhe një shumë eurosh.

Hetimet
Burime zyrtare nga Policia bënë me dije se, nga veprimet e thelluara hetimore, ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të shtetasit Jak Prenga, kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të shtetasit Altin Hajri. Po nga veprimet hetimore, rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do mbahej peng.

Gjithashtu, rezulton se autorët janë kujdesur për ta fshehur trupin e shtetasit Prengës, ndërkohë që forcat policore vijojnë kërkimet në zonën e Shijakut, për gjetjen e trupit.

Konfliktet
Ky rrëmbim dyshohet se ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe, shtuan të njëjtat burime.

“Në bashkëpunim me prokurorinë vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të përfshirë në organizmin dhe rrëmbimin e këtij personi, me pasojë vdekjen. Për shkak të hetimit, nuk bëhen të ditura detaje të tjera dhe kërkojmë nga media që të mos publikojë informacione të pakonfirmuara, pasi cenojnë rëndë vijimin e hetimeve të kësaj ngjarjeje.

Materialet do t’i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tirane, për veprat penale ‘Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit’, ‘Fshehja ose asgjësimi i kufomës’, ‘Moskallëzimi i krimit’, ‘Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës’, të kryera në bashkëpunim dhe ‘Armëmbajtja pa leje’”, njoftoi Policia. /BN/