Pengmarrja në Kamëz/ Kush është i dyshuari kryesor…

Policia bëri të ditur se ka shpallur në kërkim aktorin kryesor të pengmarrjes së ndodhur pak kohë më parë në Kamëz. Ai, sipas burimeve nga Policia, është Altin Hajri nga Shijaku, një emër mjaft i njohur për drejtësinë shqiptare dhe amerikane, nuk u arrit të gjendej, duke u shpallur në kërkim.

Të njëjtat burime thanë dje se nga hetimet e kryera që prej momentit kur Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz, pasi u dhunua nga dy persona të maskuar që e futën me forcë në makinë, dyshohet se ngjarja lidhet me një sasi prej 60 kg kokainë.

Sasi kjo që, sipas Policisë, ishte marrë në dorëzim nga njëri prej vëllezërve të Prengës, i cili për shkak se u arrestua në Londër, në vitin 2017, nuk arriti t’ua dorëzonte personave që ia kishin besuar.

Por ç’ndodhi në atë kohë? Një operacion ndërkombëtar i Drejtorisë së Antidrogës shqiptare dhe asaj italiane, në bashkëpunim me Guardia di Financa u finalizua në orët e para të mëngjesit të 28 tetorit 2015, duke vënë në pranga 16 persona.

Operacioni i koduar “Enigma”, i koordinuar njëkohësisht në dy shtetet, u realizua në zbatim të 21 urdhrave të arrestit të lëshuar nga Gjykata e Venecias, pas 5 vitesh hetimi intensiv. Bilanci i këtij aksioni fliste për mbi 500 kilogramë drogë të sekuestruar, nga të cilat 206 kg heroinë, si dhe 10 milionë euro pasuri të sekuestruara, që dyshohej se ishin ndërtuar me të ardhura nga kjo veprimtari.

Dy vëllezërit Altin dhe Emiljan Hajri, nga Shijaku, u dyshuan në atë kohë se drejtonin trafikun e heroinës që nga vendi ku sigurohej në Afganistan, duke u blerë më pas në Turqi e kaluar transit në Shqipëri me destinacion final Italinë.

Sipas Policisë italiane, vëllezërit shqiptarë kanë drejtuar grupin në një mënyrë të ngjashme me ato të organizatave mafioze, me qeliza të ndryshme, ku të gjithë e dinin se çfarë duhej të bënin, por vetë drejtuesit, kryesisht vëllai i madh, Altini, nuk kishte asnjë kontakt me pjesën tjetër të rrjetit. Jo vetëm për shkak të mënyrës që ka pasur sistem i komunikimit, që ripërtërihej nga koha në kohë, por edhe nga mënyra se si funksiononte organizata. Në rast se njëra qelizë zbulohej, atëherë tjetra vazhdonte punën, pa rënë në gjurmët e Policisë.

Historia e organizatës ishte e lidhur ngushtë me të shkuarën e dy vëllezërve, të cilët duke u larguar nga realiteti i vështirë para 20 vitesh, emigruan drejt Italisë, duke përzgjedhur terrenin ku do të ushtronin aktivitetin kriminal, por edhe njerëzit e tyre të besuar. Altin e Emiljan Hajri konsiderohen nga hetuesit italianë si persona me karizëm, shkathtësi dhe vendosmëri. Shumë prej anëtarëve të grupit nuk e kishin parë asnjëherë Altinin, madje nuk i kishin dëgjuar as zërin, pasi gjithçka ishte e koduar.

Policia pati zbuluar 5 vite më parë se vendi i origjinës së heroinës që trafikohej drejt Italisë, ishte Afganistani. Por asnjë prej anëtarëve të grupit nuk shkonte vetë atje, pasi çmimi ishte i arsyeshëm edhe në Turqi.

Droga blihej në Turqi me 5 mijë euro për kg, duke sjellë një fitim gati 10-fish, pasi merrej parasysh se vlera e shitjes me pakicë është 40 mijë euro për kg (40 euro doza). Të gjitha paratë që përfitoheshin nga kjo veprimtari, transferoheshin në Shqipëri, duke u investuar në sasi të tjera heroine apo pasuri të patundshme./Panorama/