Pas Endrit Dokles, lirohet një tjetër i dënuar i bandës së Durrësit, ja kush mori përsipër…

81

Pas Endrit Dokles, të cilit Gjykata e Krujës i fali vitet e burgimit, një tjetër anëtar i Bandës së Durrësit është liruar para kohe nga qelia, duke i kaluar shërbimit të provës me një arsyetim të çuditshëm nga gjykata e Fierit.

Sardian Sulejmani kishte edhe 4 vite, 10 muaj dhe 17 ditë burgim për të kryer, kur gjyqtari Piro Sota në Fier vendosi ta lirojë me arsyetimin se është ‘tip i qetë dhe I qëndrueshëm emocionalisht.
“Urdherohet lirimi i menjehershem i të dënuarit Sardian Sulejmani nga IEVP Fier”, shkruhet në njoftimin e Gjykatës.

Pas lirimit mësohet se Sardian Sulejmani do të punojë si punëtor terreni në kompaninë “Kombi Invest”, pasi ai ishte tip i qetë dhe i qëndrueshëm emocionalisht.

“Me aktin ‘Premtim për lidhje kontrate pune’ të dt.17.07.2019, administratori i shoqërisë ‘Kombi Invest’ sh.p.k, Ulis Gjata, ka marrë përsipër punësimin e kërkuesit me detyrën “punetor tereni” në rast se ai do të lirohet nga burgimi”, shkruhet në njoftimin e Gjykatës.

Një ndër arsyet që i siguroi Sulejmanit lirimin me kusht fakti se ai nuk rezulton të ketë probleme me përdorimin e alkoolit, apo të lëndëve narkotike, faktor i cili ndikon ne proçesin e riintegrimit të të dënuarit në shoqëri dhe shërben si faktor parandalues në kryerjen e sjelljeve devijante në shoqëri.

Kush është kompania që mori përsipër punësimin
Një kontratë punësimi, u përdor nga gjyqtari Piro Sota, si një argument për lirimin e parakohshëm nga qelia të ish-anëtarit të “bandës së Durrësit”, Sardian Sulejmani. Ky i fundit u dënua në korrik të vitit 2014 nga Gjykata e Lartë, me 25 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë” në dy raste ndaj Lulzim Berishës, ngjarje të ndodhura në gusht të 2005 dhe “Vrasjes me paramendim” të Avni Gashit ndodhur në tetor 2005 në Tiranë.

“I dënuari ka paraqitur një premtim për lidhje kontrate pune dhe shprehet se është i motivuar për të punuar dhe për të siguruar të ardhura për familjen”, thuhet në raportin e vlerësimit për të dënuarin nga Zyra Vendore e Shërbimit të Provës Fier, të marrë në konsideratë nga gjyqtari Sota në dhënien e vendimit: “Pezullimin e ekzekutimit të pjesës së mbetur të dënimit të të dënuarit Sardian Sulejmani prej 4 vjet 10 muaj e 17 ditë burgim, me kusht që gjatë një afati prove të barabartë me pjesën e mbetur të dënimit, i dënuari Sardian Sulejmani të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës dhe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale”.

Por, kush është kompania që ka marrë përsipër punësimin e Sulejmanit?

Në vendimin e gjykatës saktësohet se firma në fjalë është “Kombi Invest”: “Me aktin‘ Premtim për lidhje kontrate pune’ të dt.17.07.2019, administratori i shoqërisë ‘Kombi Invest’ sh.p.k, Ulis Gjata , ka marrë përsipër punësimin e kërkuesit me detyrën ‘punëtor tereni’ në rast se ai do të lirohet nga burgimi”.

Nga verifikimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se kompania në fjalë, me zyra qendrore në Fier, është në pronësi të familjes Gjata. Kompania rezulton e themeluar në vitin 2002 me objekt veprimtarie në fushën e ndërtimit, në objekte industriale, bujqësore, turistike, civile, në prodhimin e materialeve të ndërtimit dhe tregtimin e tyre, tregtim mallrash të ndryshëm ushqimore, industriale, etj… Kompania zotërohet nga Rrapush Gjata, dy djemtë e tij Kreshnik e Ulis, si dhe bashkëshortja e këtij të fundit.