Numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike” në Pogradec

Nga Meri Lalaj

Ishte ditë e shtunë, 5 janar 1991, ditë me diell të ndritur posi pranverë. Që në orët e para të mëngjesit, njerëzit kishin zënë radhën tek libraria për të blerë gazetën. Sot për herë të parë del “Rilindja Demokratike”. Mora vesh se janë 800 copë për Pogradecin, por nuk më besohej sa ta shikoja njërën me sy, ta prekja me duar, ta lexoja. U hapën fjalë se sapo të mbërrijë në postë do ta bllokojnë komunistët. Grupe-grupe qytetarët u drejtuan në postë (që, po të mundnin të merrnin ndonjë gazetë atje). Kur arritën gazetat i mori në dorëzim librashitësja. (U pëshpërit se 100 copë i tërhoqi për veten e vet, ai më i privilegjuari: Komiteti i Partisë.)

Meqenëse shitësen po e ndiqnin shumë njerëz nga prapa për t`i marrë gazetën, ajo nuk vajti në librari, por në zyrat e Drejtorisë së Librit, (që zyra u thënçin, sepse ajo është një ndërtesë dykatëshe karakatinë me shkallë dërrase të kalbura, që kur i shkel kërcasin dhe të duket sikur do këputen në çast). Unë e di sesa mallkime e të shara janë rrokullisur nëpër këto shkallë. Aty ka qenë më parë Komiteti i Qytetit. Edhe unë jam lutur e kam trokitur në ato dyer. E si për ironi, pikërisht aty vijnë për të shitur atë “më të dashurën” gazetë “Rilindja Demokratike”. Atje njerëzit shumica burra po shtyheshin gati duke u kacafytur.

Unë ika duke i lënë porosi Ilirit dhe ai më bleu 10 copë. Në shtëpinë time erdhën Genci, arkitekt i ri dhe Maksi, që të dy anëtarë të lëvizjes demokratike në qytet. Për nder të gazetës trokitëm kupat me raki dhe pimë kafe. Më në fund e preka gazetën, e përkëdhela me duar dhe e putha. (Më ra ndërmend se në Shkodër ndodhet një rrugë me emrin “Gjuhadol”, domethënë se gjuha shqipe u vendos, u shpall).

Edhe ne sot mund të themi me plot gojën se gazeta “RD” shpalli fjalën e lirë, se ne tani mund të flasim me gazetën dhe gazeta flet me ne. Kur lexova këtë numër të parë, natyrshëm që u emocionova shumë me çdo radhë të shkruar në të, me ditët e qëndresës studentore dhe më tej në faqen e katërt nuk munda që t`i mbaj lotët kur lexova se “Shqipëria është vendi më i varfër në Europë dhe në botë”. Ja, për këtë të qan dhe të ulërin shpirti.

Mbajta dy gazeta për vete e të tjerat ua dhurova shoqeve të mia më të mira. Dhe pastaj për dy muaj me radhë, derisa u bënë abonimet, unë gjeja patjetër gazetë “RD” për një shokun tim të klasës, Pertefin, i cili ka qenë në burg i dënuar kot, si edhe për një mikeshën time të moshuar, Vitoren, shumë e mençur, shumë e kulturuar. Më vonë, në mars, kur ne u abonuam tek gazeta “Rilindja Demokratike”, lista me emrat tanë u dërgua në Degën e Punëve të Brendshme dhe thuhet sikur na hapën përsëri dosje.
Shkëputur nga libri “Kapërcyell”