Një fitore e shkëlqyer e Opozitës

158

Nga Red VARAKU

Ai që është ndjekës i vëmendshëm i politikës e mban mend që kërkesa për reformën zgjedhore ka qenë kërkesa e parë e faktorit ndërkombëtar menjëherë pas 30 qershorit.

Fillimisht ka qenë Mathew Palmer, i cili e ka artikuluar qartë që SHBA mbështesin një reformë zgjedhore të dakortësuar nga të gjitha palët, pastaj ka qenë Johannes Hahn, i cili në emër të Bashkimit Europian ka kërkuar të njëjtën gjë, duke e konsideruar edhe si kusht për hapjen e negociatave tetorin e shkuar.

Ky ishte një mesazh i qartë që vinte nga Perëndimi që dëshmonte se pranonte kauzën e Opozitës shqiptare. Gjithashtu, dëshmonte se zgjidhja e krizës shqiptare tashmë ishte futur në axhendën e Perëndimit. Kjo ishte një arritje jo e vogël e Opozitës shqiptare.

Opozita e bashkuar, pranoi menjëherë ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe në shtator pranoi të niste punën për reformën zgjedhore, akt që u përshëndet menjëherë nga ambasada amerikane në Shqipëri, e cila e konsideroi asokohe Bashën , një lider që ‘po dëshmon udhëheqësi të vërtetë’.

Por, ishte Rama ai që e bllokoi këtë proces me qëllim zvarritjen dhe shtyrjen e tij. Pas kësaj zvarritje, Perëndimi e kuptoi mungesën e vullnetit nga ana e kryeministrit, kështu që ata vendosën të bllokojnë integrimin si presion që ai të pranojë realitetin.

Njëkohësisht, për të treguar rëndësinë që ajo ka për zgjidhjen e krizës, ata vendosën që reformën zgjedhore ta institucionalizojnë duke e kthyer atë edhe ndër kushtet kryesore të Bundestagut gjerman, i cili kërkonte jo vetëm realizimin e reformës zgjedhore, por edhe implementimin e saj, që do të thotë realizimin e saj jo vetëm në letër, por edhe zbatimin e saj, pra zgjedhje të parakohshme.

Kështu, duke parë qëndrimin zvarritës të mazhorancës, reforma nga kërkesë u shndërrua në kusht të panegociueshëm për zgjedhje të parakohshme.

Në gjuhën diplomatike nuk ka presion më të hapur se ky për realizimin e saj. E vërteta është që nuk ka asnjë surprizë. Kjo do të ndodhte në fillim të janarit e paralajmëruar kjo nga Z. Basha dhe aktorë të tjerë të Opozitës. Ata ishin shprehur vazhdimisht që në janar do të niste puna për reformën dhe në mars do të kemi produktin final. Pra, deri në këtë pikë çdo gjë po ecën sipas planit.

Përshëndetja që ambasada amerikane dhe ambasadori i BE i bëri fillimit të punës së përbashkët për reformën dëshmon, që ajo po kryhet nën mbikqyrjen e rreptë të SHBA-ve dhe partnerëve.

Të dy deklaratat mbështesin midis rreshtave kauzën e Opozitës se procesi zgjedhor kishte deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptar dhe se qytetarët shqiptarë meritojnë një proces të drejtë, ‘zgjedhje të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni’.

Lajmi i mirë është se presioni i ndërkombëtarëve e ka detyruar të tërhiqet z.Rama nga pozicioni i tij , i cili tentonte të mohonte krizën dhe të zvarriste procesin.

Më në fund ai u detyrua të njohë Opozitën e vërtetë, të cilën deri e mohonte dhe të pranojë krizën e rëndë ku ndodhet vendi. Këshilli politik i propozuar nuk është gjë tjetër vetëm se prova kryesore e një mekanizmi, që në fakt jo vetëm anashkalon, por nuk e njeh fare parlamentin.

Sigurisht, kriza do të zgjidhet vetëm kur të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë, por Opozita ka arsye për të qenë entuziaste , sepse tashmë faktori ndërkombëtar është tërësisht në anën e saj dhe ajo po dikton sot defacto axhendën politike të vendit.