Veliaj nuk ndalet! Nesër në mëngjes nis aksioni për shembjen objekteve tek “Astiri”

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka njoftuar se rifillon nesër në ora 6.00, shembjet e objekteve në gjurmën ku do të shtrihet “Unaza e Madhe” në kryeqytet.

“Janë planifikuar të prishen 6 objekte, nga të cilat një me shpërthim të kontrolluar, që do të realizohet një ditë më pas. Objektet që do të prishen, ndodhen pranë rreth-rrotullimit në hyrje të Tiranës (ish shqiponja)”, thuhet në njoftimin e IKMT.

Në mesin e Nëntorit, IKMT zhvilloi një aksion disa ditor në këtë zonë, që degjeneroi në përplasje. Forca të policisë, në mbështetje të punonjësve të IKMT-së u përplasën fizikisht me banorët të cilët kundërshtuan shembjen e banesave të tyre.

Nga ana e forcave të rendit u përdor jo vetëm dhunë fizike, por u hodh edhe gaz lotsjellës, duke helmuar qytetarët protestues. Shumë syresh përfunduan me lëndime në spital, si pasojë e dhunës së policisë.

Banorët e “Astirit” dhe “Unazës së Re”, prej më shumë se një viti kanë protestuar kundër projektit për “Unazën”, që është shoqëruar me hije skandali. Protestat ditore u ndërprenë vetëm pas tërmetit vdekjeprurës të 26 Nëntorit.

unaza