Në gjyq me Vokshin për analizat e chekup-it korruptiv, Rama refuzoi sot për herë të katërt të bëjë testin e drogës

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi akuzoi kryeminsitrin Edi Rama se nuk po e shkarkon kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla pasi ka hallin e tij personal me kokainën.

Vokshi deklaroi gjatë një conference për mediat se, opinioni publik duhet ta dijë se në përballjen që unë kam me të në gjykatë, Edi Rama refuzon të bëjë testin e drogës.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Prej disa ditësh, Kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, Lefter Alla, është kapur duke konsumuar kokainë. Pamjet janë bërë publike, opinioni është shumë i tronditur, por Lefter Alla vazhdon të qëndrojë në detyrë me mbrojtjen personale të Edi Ramës.

Edi Rama nuk e shkarkon kryebashkiakun përdorues të kokainës, sepse ka hallin e tij personal me kokainën.

Opinioni publik duhet ta dijë se në përballjen që unë kam me të në gjykatë, Edi Rama refuzon të bëjë testin e drogës. Me seancën e sotme numri i refuzimeve nga ana e Edi Ramës për të bërë testin e drogës, shkon në katër.

I kam kërkuar gjykatës ta marrë provën e testit të drogës si pjesë e procesit gjyqësor të hapur prej vetë Edi Ramës ndaj meje, pasi ai u ndie i fyer nga një postim për checkup-in. Ky koncesion korruptiv ka nxjerrë burrat shtatzanë dhe nuk do të ishte asnjë çudi që analizat e checkup-it të Edi Ramës, të dilnin me doza kokaine e t’i jepeshin dikujt tjetër.

Përtej ironisë, refuzimi për të bërë testin e drogës në këtë proces gjyqësor të hapur prej vetë Edi Ramës, nuk është hera e parë e refuzimit të tij.

Opinioni publik nuk ka harruar, kur ai fliste për gjithçka në parlament, por nuk guxonte t’i përgjigjej pyetjes: a ka konsumuar kokainë? Gjithashtu, opinioni publik e mban mend se pika e vetme e rëndësishme me të cilën Edi Rama nuk ka ra dakord gjatë hartimit të ligjit të dekriminalizimit, ishte testi i drogës nga politikanët.

Edi Rama ka frikë nga testi i drogës si djalli nga temjani, prandaj vazhdon ta refuzojë duke përdorur çdo mjet dhe mënyrë. Një kryeministër që merr vendime të rëndësishme nën efektin e drogës është një rrezik i madh për vendin dhe qytetarët e tij, prandaj, Edi Rama duhet të lejojë gjykatën që të bëjë transparencë.

Bashkë me përgjigjen, nëse ai është apo jo konsumues i kokainës, shqiptarët kanë të drejtë të njihen nga gjykata edhe me kontratën koncesionare të checkup-it prej 120 milionë euro, të cilën Edi Rama refuzon ta bëjë publike duke urdhëruar vartësit e tij që ta mbajnë atë sekret në mënyrë skandaloze, si sekret tregtar.

Herët a vonë, sekreti i Edi Ramës do të zbulohet. Partia Demokratike do ta anulojë këtë koncesion.

Ata që kanë vjedhur me vulën e qeverisë së tij do të dalin para drejtësisë dhe shqiptarëve do t’u kthehen paratë e vjedhura.