Minishengeni, projekt artificial për t’ju dhuruar Serbisë

160

Nga Adi Krasta

Marrëdhëniet mes eksponentëve aktualë të politikës së Shqipërisë e të Kosovës nuk e kanë as luksin dhe as kohën të degjenerojnë në zënka banale egosh narciziste. Do na duhet të pranojmë se të gjithë aktorët janë të përkohshëm. Kështu ishte Bolton.

Vetë presidenti Trump është me mandat të përcaktuar. Kështu është i dërguari i posaçëm Grenell, i cili po aplikon sjelljen ambasadoreske prej skifteri të përshkruar saktësisht nga Paul Richter.

I përkohshëm, madje më shumë se të tjerët është kryeministri i Shqipërisë. Ai i Kosovës gjithashtu. Të momentit janë presidentë e negociatorë.

Nuk duhet të na hutojë retorika bombastike dhe as takimet e ashtuquajtura të nivelit të lartë. Në fund vendimet duhet ti marrë populli i Kosovës.

Serbia duhet të kërkojë falje zyrtarisht për krimet e të paktën 300 vjetëve të fundit ndaj shqiptarëve. Të pranojë pa asnjë kusht mëvetesinë e Kosovës. Pastaj le të flitet për marrëveshje të përbashkëta apo hyrje në BE.

Minishengeni eshte krijim artificial dhe nuk i behet si dhurate një vendi qe ka shkaktuar genocid. Kosova nuk fiton asgjë nga një Minishengen i perkohshem dhe i pajustifikuar. Shqiperia gjithashtu nuk fiton asgje qe nuk e ka. Prioriteti i Shqiperise eshte Kosova. Nuk mund të jetë asnjë vend tjetër.

Njerëzit e politikës së marrëveshjeve të shpejta nuk duhet të helmojnë marrëdhënien brenda Familjes Shqiptare. Nuk duhet tua lejojmë.

Në Shqipëri duhet të rritet fuqia kritike. Në Kosovë nuk duhet të bien pre’ e gjuhës së gjatë të politikanëve të përkohshëm. Është konfirmuar në shekuj se ata janë të aftë të shkaktojnë me egoizmin e tyre dëme të parregullueshme.

Le të mbajmë sytë tek topi ynë dhe loja jonë!