Megxit: Vendimi që tronditi Familjen Mbretërore

Që kur u mësua se princi anglez Harry është në një lidhje me aktoren amerikane Meghan Markle, gjërat në Familjen Mbretërore u trazuan ndjeshëm.

Asgjë nuk do ishte si më parë edhe pas martesës së tyre. Tabloidët britanikë janë thuajse të mbushura përditë me histori që tregojnë se si Meghan ia ka dalë që të krijojë tensione në familje.

Thuhet se nuk i ka marrëdhëniet mirë me kunatën, kurse dy vëllezërit, Harry dhe William nuk shkojnë aq mirë si dikur.

E gjitha kjo kulmoi një ditë më parë, kur në mënyrë të befasishme, Harry dhe Meghan thanë se do heqin dorë nga të gjitha funksionet e larta mbretërore. “Duam të krijojmë pavarësinë tonë financiare,” thanë ata, duke hequr dorë nga një luks që shkon deri në 2 milionë sterlina në vit.

Burimet thonë se çifti mund të zhvendoset në Amerikë ose Kanada për të jetuar.
Lajmi bombastik ka shokuar Familjen Mbretërore. Daily Mail shkruan se Mbretëresha ka mbetur thellësisht e zhgënjyer.

Një tjetër burim tha se në Familjen Mbretërore janë të tërbuar, sidomos për faktin se nuk janë konsultuar për vendimin.

Madje Princi Charles dhe William e kanë mësuar gjithçka nga televizioni.
“Kjo ishte si një thikë pas shpine,” thuhet se ka qenë fjalia e përdorur në Familjen Mbretërore së fundmi.

Daily Mail shkruan se çifti e ka marrë vendimin në mënyrë sekrete teksa ishin në Kanada.
Duka e Dukesha e Sussex-it nuk do jenë më të tillë. Vendimi ka ndezur një valë diskutimesh në mbarë botën. Loja e fajtorëve ka nisur.

Por e sigurt është se çifti do bëjë atë që ndjen më mirë për veten. Aq më tepër kur Harry ka rrëfyer jo pak herë në të shkuarën për problemet e tij mendore. Dhe jeta e Meghan është qëmtuar në çdo detaj, që nga marrëdhëniet e saj katastrofike me babanë.

Të jesh në qendër të vëmendjes, nuk është e lehtë. Një pyetje që mbetet është: A do e dojë sërish bota çiftin Meghan dhe Harry, siç kanë bërë deri më tani?