Maskat bëjnë kërdinë, grabisin edhe Argjendarinë e kunatit të Bashkim Finos

Persona ende të paidentifikuar nga ana e policisë kanë vjedhur gjatë natës një nga bizneset më të njohura në qytetin e Librazhdit. Burime jo zyrtare bënë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04.00 të mëngjesit të kësaj të mërkure dhe është konstatuar pas rënies së sinjalit të alarmit për pak sekonda.

Vjedhja e dyqanit të argjendarisë në pronësi të Skënder Xhanit, i cili është kunati i ish kryeministrit dhe deputetit socialist Bashkim Fino. Sipas të njëjtave burime, vjedhja është kryer në kohë rekord.

Vjedhësit dyshohet kanë vepruar sipas një plani të parapërgatitur duke i kryer veprimet me shpejtësi dhe kanë arritur të merrnin gjithçka kishin si objektiv. Për të realizuar vjedhjen ata më herët janë futur në shtëpinë e biznesmenit.

Që andej kanë marrë çelësat e argjendarisë dhe më pas janë futur te biznesi ku ka marrë çfarë kanë mundur. Paraprakisht nuk ka të dhëna për vlerën e mallit të grabitur në këtë argjendari nga më të mëdhatë e këtij qyteti.

Ky biznes edhe pse ndodhet në qendër të qytetit të Librazhdit dhe fare pranë godinës së komisariatit të policisë dhe i monitoruar me kamera sigurie e sistem alarmi gjithmonë ka qenë objekt i piketuar nga vjedhësit. Gjatë vitit 2019, aty u kryen dy vjedhje me një vlerë prej dhjetëra milionë lekësh.

Ndërkaq, policia lokale për rastin e fundit ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e të gjitha provave, si dhe të pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, për të identifikuar dhe kapur autorët e kësaj vjedhje. Gjatë ditëve të fundit në Qarkun e Elbasanit edhe në bashkinë e Belshit u raportua vjedhja gjatë natës e dy bizneseve por ende autorët nuk janë zbuluar. /BW