“Kush na nxiti të hidhnim në erë bustin e Stalinit”, flet organizatori i demonstratës së 14 janarit ‘90

108

Publikohet historia e panjohur e ndodhur në qytetin e Shkodrës nga data 11 deri më 14 janar të vitit 1990-të, kur një grup djemsh të këtij qyteti me në krye: Rin Monajkën, Flamur Elbasanin, Dedë Kasnecin, Gjergj Livadhin, Viktor Martinin, etj., u organizuan në fshehtësi dhe vendosën të bënin një demonstratë proteste në qëndër të qytetit, ku ishte busti i Stalinit, duke kërkuar heqjen e tij.

Dëshmia e Gjergj Livadhit, njërit prej protagonistëve dhe organizatorëve kryesorë të asaj demonstrate që tronditi rëndë regjimin komunist të Tiranës dhe u përcoll nga disa prej mediave më të rëndësishme të botës, si Reuters, Rai, Zëti i Amerikës, etj., kush ishin dy ideatorët e hedhjes në erë të bustit të Stalinit, përse Dom Simon Jubani s’pranoi të mbante fjalën e rastit kur do të mbahej demonstrata, kush ishte djaloshi shkrodran Kolec Kublina që e morri përsipër këtë akt, çfarë i tha ambasadori gjerman Rin Monajkës në takimin disa sekondash në qëndër të qytetit të Shkodrës dhe si i arrestoi Sigurimi i Shtetit me në krye Zylyftar Ramizin dhe Forcat Speciale të ardhura nga Tirana të gjithë organizatorët e asaj proteste një natë para se të mbahej ajo…?!

Në paraditen e datës 14 janar të vitit 1990-të, me mijëra banorë të qytetit të Shkodrës u grumbulluan në qendër të qytetit dhe për disa orë zhvilluan një tubim proteste në heshtje, i cili synonte rrëzimin e monumentit të Stalinit që ndodhej në një nga lulishtet e shesheve kryesore të atij qyteti. Ajo demostratë masive e cila shënonte dhe protestën e parë antikomuniste pas më shumë se gjysmëshekulli të sundimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, alarmoi regjimin dhe gjithashtu bëri bujë të madhe brënda e jashtë vëndit, duke u komentuar edhe nga shumë stacione të huaja televizive nga më të njohurit, si Reuters, Rai, Zëti i Amerikës, BBC etj.

Po kështu demonstrata e 14 janarit të vitit 1990-të, tundi nga themelet udhëheqjen e lartë komuniste të Shqipërisë dhe personalisht Ramiz Alinë, i cili ia “faturoi” atë shërbimeve të huaja dhe kryesisht UDB-së jugosllave. Përveç organeve të diktaturës që Ramiz Alia vuri në përdorim për shtypjen e asaj demostrate, ai mobilizoi edhe gjithë arsenalin e mjeteve të propagandës që dispononte regjimi i asaj kohe, dhe në një nga fjalimet e tij pikërisht për atë ngjarje, ai artikuloi shprehjen: “Nuk tundet Taraboshi nga era”.

Po kush ishin organizatorët kryesorë të asaj demostrate dhe kur u hodh për herë të parë ideja për rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër? Kush ishte personi që u takua me ambasadorin gjerman në paraditen e 11 janarit në qendër të qytetit të Shkodrës dhe çfarë u bisedua në mes tyre në lidhje me demostratën e rrëzimin e bustit? Kush ishin intelektualët shkodranë të cilëve iu kërkua të mbanin një fjalë rasti para demostratës dhe cila ishte përgjigjia e Dom Simon Jubanit?

Si e mësoi Sigurimi i Shtetit të vërtetën për zhvillimin e demostratës dhe si i arrestoi të gjithë organizatorët e saj në orët e vona të natës së 13 janarit? Si u torturuan ata në zyrën e Kryetarit të Degës së Brendshme të Shkodrës, Çapajev Taçi në praninë e zv/Ministrit dhe Drejtorit të Sigurimit, Zylyftar Ramizi? Çfarë i’u kërkohej atyre gjatë hetuesisë dhe përse Kryetari i Gjyqit në Tiranë, Sh. M., dha dënime tepër të rënda për dhjetë organizatorët e asaj demonstrate?

Përse ata të dhjetë organizatorët dhe protagonistët kryesorë të asaj demonstrate ishin të fundit që u liruan nga burgjet e regjimit komunist në marsin e 1991-it dhe cila është e vërteta e vdekjes në Austri, të personit që ishte takuar dhe biseduar me ambasadorin gjerman, tre ditë para demostratës në 11 janarin e vitit 1990?