Kurti bën gati qeverinë, ministri i Brendshëm i takon LDK, 6 ministrat e “VV”

Albin Kurti vetëm pak orë para takimit me Thaçin i ka bërë thirrje LDK-së t’i sjellë emrat e propozuar të saj për ministra, ndërkohë ai vetë ka bërë publike emrat e ministrave të tij dhe zv. kryeministrit.

Për ministër të drejtësisë nga Vetëvendosje do të jetë Albulena Haxhiu, ministër i jashtëm Blerim Reka, ministër i Financave Besnik Bislimi, minister e ekonomisë Rozeta Hajdari dhe ministër i Shëndetësisë Arben Vitia, kurse për zv. kryeministër Haki Abazi. Bie në sy se Albin Kurti ka hequr dorë nga Ministria e Brendshme, të cilën e kishte të parën në listën e tij për t’u drejtuar nga një përfaqësues i Vetëvendosjes.

Sot Kurti mandatohet nga Thaçi për formimin e qeverisë së re dhe me të gjitha gjasat pa marrëveshje pasi LVV dhe LDK nuk kanë rënë dakort për postin e Presidentit si dhe për ndarjen e numrit të ministrive.

“Sot u bënë tre muaj nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, kur qytetarët masivisht votuan edhe për ndryshime politike në vend edhe e bënë Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjekt të parë e fitues.

Më 26 dhjetor 2019, në seancën konstituive të legjislaturës së shtatë u detyruam të shkojmë pa marrëveshje me LDK-në. Sot, më 6 janar 2020, në takim konsultativ me Presidentin e Republikës, sërish jam i detyruar të shkoj pa marrëveshje me LDK-në. Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme, nuk m’u bë e mundur të kem një takim me kryetarin e LDK-së para këtij takimi të sotëm me Presidentin e shtetit.

Të dashur qytetarë të Republikës,
Askush prej nesh nuk e ka menduar që viti i ri 2020 do të na zë pa qeveri. Si Kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i juaji politik që ka marrë më së shumti vota në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, theksoj se nuk kemi kohë për të humbur. Koha që po ikën pa kthim nuk është kohë private e individuale e politikanëve, por është kohë e shtetit dhe kohë publike, e të gjithëve e për të gjithë.

I bëj thirrje udhëheqjes së LDK-së që sa më parë t’m’i dërgojë emrat e pesë ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit apo të zëvendëskryeministres së parë nga radhët e saj. Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Reka, për Ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe, për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia.

Le t’ia fillojmë punës për të mirën e qytetarëve, e sipas programit qeverisës tashmë të dakorduar. Unë zotohem se menjëherë pasi t’i kem ata gjashtë emra, do ta sjell emrin e ministrit nga pakicat joserbe dhe atë të pakicës serbe, por edhe emrat e së paku 10 zëvendësministrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”- tha Kurti.