KLSH zbulon dështimin e projektit me fondet e BE për statistikat

109

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për menaxhimin e fondeve të BE-së në kuadër të instrumentit të parazgjerimit ka arritur në konkluzionin se vonesat e shkaktuara gjatë tenderimit dhe implementimit të projektit “Mbështetje për përmirësimin e Sistemit të Statistikave” kanë penguar realizimin e produkteve të tij brenda afateve të përcaktuara në Termat e Referencës, duke cenuar eficiencën e procesit.

Nga raporti auditimit rezulton se “AA ka refuzuar t’i përgjigjet kërkesave për informacion të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke mos vënë në dispozicion as raportet e auditimit apo të veprimtarisë së saj. Në këtë mënyrë, Agjencia ka shkelur jo vetëm ligjin e KLSH dhe ligjin e vet organik, por edhe standardet INTOSAI, mbi të cilat mbështetet, si dhe mbi të gjitha parimin e transparencës me publikun”

KLSH i ka propozuar Kryeministrit të nisë procedurën e shkarkimit nga detyra të Drejtoreshës së Përgjithshme të këtij institucioni për shkelje të nenit 57 pika 2 e Ligjit 152/2013 “Për Nëpunësin Civil”. Gjithashtu, Departamenti Juridik në KLSH të vijojë përcjelljen dhe ndjekjen në organet përkatëse kompetente të këtij refuzimi.

Projektet IPA janë konceptuar si një instrument orientues e lehtësues drejt anëtarësimit në BE të një vendi me perspektivë europiane. Ndonëse në Shqipëri projekte të tilla po aplikohen prej mëse 10 vjetësh dhe në shuma të konsiderueshme financiare, progresi real i vendit tonë drejt anëtarësimit në BE vijon të jetë i vakët.

Sipas KLSH, pala shqiptare në përgjithësi dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Financave të Ekonomisë në veçanti, kanë dëshmuar:

a) pasivitet në aplikimin për projekte të tilla, duke treguar se qasja jonë europiane vijon të mbështetet më shumë në slogane sesa në punë;

b) menaxhim të dobët në nivel strategjik, taktik e operacional të projekteve të ndërmarra, ku mungojnë struktura që duhet të ishin ngritur me kohë, mungon dedikimi ekskluziv i njësive IPA në përputhje me prioritetin politik e social, mungon monitorimi eficient në dimensionin financiar dhe atë performant, duke treguar rrjedhimisht për një proces më së shumti fiktiv të rritjes së kapaciteteve administrative dhe integrimi europian;

c) proces i mangët feedback-u në nxjerrjen e mësimeve nga gabimet e kaluara, korrigjimin e tyre në kohë dhe parandalimin e rindodhjes së tyre në ardhmen, duke treguar mungesë përgjegjësie dhe shkaktuar dëme financiare.

Në linjë me Marrëveshjen Kuadër dhe investimin e fuqishëm financiar të BE-së për integrimin europian të Shqipërisë, projektet IPA mund dhe do ta japin efektin e tyre të plotë vetëm pasi të ngrihen të gjitha strukturat e nevojshme, të dedikohen ato në përputhje me rëndësinë strategjike që kanë dhe të monitorohen e auditohen me përgjegjshmëri, koordinim dhe qasje pro-aktive.

Trajnimi i plotë dhe i përshtatshëm i personave përgjegjës për të gjithë ecurinë e projektit, e veçanërisht procesit të prokurimit, është i një rëndësie thelbësore për realizimin me sukses të projektit të Censusit 2020, të cilin INSTAT do ta implementojë në vazhdim.

Sipas raportit, trajnimet jo adekuate, lëvizja e shumtë e stafit dhe mungesa e burimeve njerëzore të dedikuara për projektet IPA bëjnë që realizimi i objektivave të projekteve të mos bëhet brenda afateve të përcaktuara dhe/ose të mos bëhet me një cilësi të kënaqshme.

Në konkludim KLSH ka rekomanduar njësia IPA pranë INSTAT, duke kërkuar edhe asistencën e strukturave të tjera të menaxhimit indirekt, të sigurojë trajnim të plotë dhe të përshtatshëm për stafin e përfshirë në implementimin e projekteve të ardhshme IPA, në të cilat institucioni do të jetë përfitues.

Njësia IPA pranë INSTAT, me qëllim përmirësimin e punës dhe rritjen e eficiencës në projektet e ardhshme që do të përfitojë, sipas KLSH duhet të hartojë dhe të përditësojë vazhdimisht Regjistrin për dobësitë e kontrollit të brendshëm dhe bazën e të dhënave kronologjike të ndryshimeve gjatë projektit. Në vazhdimësi

Sipas raportit, mungesa e Indikatorëve Kyç të Performancës (KPI) përpara 2019 kanë cenuar efektivitetin e procesit të vlerësimit të performancës së strukturave të menaxhimit indirekt të fondeve IPA.