Jeta e vështirë e shqiptarëve në emigracion

Shqiptarët që ndodhen në emigracion po përballen me vështirësi dhe të papritura. Mjaft prej tyre detyrohen të bëjnë punë të jashtligjshme duke përfunduar edhe pas hekurave. Një rast është edhe ai shtetasit Edison Arben Bajrami, lindur në Tiranë më 22 korrik 1989. Edisoni në shtator të vitit 2017 detyrohet të largohet jashtë shtetit vetëm me një qëllim, për të siguruar paratë për të paguar operacionin e nënës së tij. Nëna e tij vuante nga një sëmundje e zemrës dhe duheshin një shumë parashë për të kryer operacionin.
Edisoni takon një djalë në lagje, të cilit i tregon hallin për nënën e tij, ai i thotë se do ta ndihmojë dhe e prezantoi me një shok për ta nisur në Britaninë e Madhe dhe I kërkoi 12 mijë paund, të cilat do t’i lante për dy vjet.
Me të arritur në Britaninë e Madhe çdo gjë ndryshoi, ku persona të tjerë u sollën dhunshëm dhe e detyruan ta fusnin në një magazinë kanabisi të mbyllur nga Brenda që të paguante dhe të lante borxhin sa më shpejt. Personat e panjohur e kërcënonin Edisonin duke e goditur që të mësonte punën që ta bënte sa më mirë.
Pas disa kohësh, për fatin e mirë të Edisonit magazina u zbulua nga policia. Policia ndaloi edhe Edisonin, i cili u përball me drejtësinë dhe gjatë procesit gjyqësor u vërtetua se Edisoni ishte i pafajshëm pasi ishte viktimë e trafikantëve.
Ndonëse Edison Bajrami doli i pafajshëm nga Gjykata tani ai ka frikë për familjarët e tij sepse trafikantët e kërcënojnë në telefon siç ishte rasti në prill të vitit 2019 dhe në janar të këtij viti.
Prindërit nuk kanë bërë denoncim nga frika e se mos i ndodhë gjë të birit. Ata nuk asnjë mbrojtje nga shteti sepse i përket shtresës së komunitetit rom, të cilët ndjehen të pambrojtur.